Vdekja e të moshuarës nga i ftohti në Fier, Bozheku: Rast makabër, qeveria të kujdeset për njerëzit në nevojë

Pedagogia dhe avokatja Enida Bozheku, në një intervistë në Edicionin e Pasdites me moderatoren Armela Ferko në Syri Tv, ka komentuar rastin e rëndë të vdekjes së një të moshuare në Fier nga i ftohti.

Bozheku thekson se rasti i të moshuarës në Fier që vdiq nga i ftohti është rast makabër, duke shtuar se qeveria duhet të kujdeset më shumë për njerëzit në nevojë.

“Ka shtatë vjet që nuk ka VKM për njerëzit në nevojë. Përgjegjësi mban Këshilli i Ministrave. Duhet bërë listë të njerëzve në nevojë, ku më së pari duhet të jenë familje me ndihmë ekonomike, familje ku ka njerëz që nuk janë të aftë për punë. Marrim rast të një familjeje që ka persona në të me sindromën Daun, ne e dimë se ky person është i paaftë të punojë. Duhet të përfshihen te njerëzit që kanë nevojë edhe jetimët.

Jetimët për shembull që janë me gjyshërit, sepse i kanë vdekur prindërit për shembull duhet të përfitojnë ndihma ekonomike. Në këtë rast të ardhurat janë shumë të pakta e ndaj duhet të ndihmohet. Rasti i Fierit është makabër, sepse gruaja ka vdekur nga papërgjegjshmëria, duhet ta vëmë veten në vend të saj, sepse jetës nuk i dihet, njëherë ngrihesh e njëherë ulesh, prandaj është rast makabër”, deklaroi Bozheku.