EMRI/ Çmim mirënjohjeje durrsakut në Itali, shpëtoi jetën e një njeriu

Një shqiptar, banues prej shumë vitesh në Itali, do të nderohet me një çmim mirënjohjeje nga komuna e Viganosë në Lombardi.

Çmimi i mirënjohjes do t’i jepet më 13 shkurt në sallën e këshillit të komunës, i vetmi aktivitet për festën e Santa Apollonias, pasi gjithçka tjetër është anuluar për shkak të Covid-19.

Marrës i çmimit do të jetë Holtian Çarçiu, 37 vjeç, i lindur në Durrës dhe banues prej shumë viteve në Vigano, provinca e Leccos. Dy vjet e gjysmë më parë, Çarçiu i shpëtoi jetë një personi që po lahej në plazhin e Abbadias, në liqenin e Komos.

Ai është vlerësuar ‘për guximin e padiskutueshëm në shpëtimin, pa hezitim, të një jete në rrezik, duke rrezikuar të tijën, dhe për impenjimin e treguar prej vitesh në Associazione Rwendo, promovuese e solidaritetit dhe miqësisë midis njerëzve dhe gjithmonë e gatshme për të ndihmuar realitete në vështirësi’.