Refugjates në të njëjtin kamp me Shamima Begum iu hoq 'gabimisht', shtetësia britanike

Një gruaje që mbahej në të njëjtin kamp refugjatësh sirianë si Shamima Begum iu hoq gabimisht shtetësia nga qeveria britanike. Kështu ka vendosur Gjykata e Apelit.

Gruas 51-vjeçare, e cila ka lindur në Britaninë e Madhe dhe gjithashtu ka nënshtetësi pakistaneze, iu hoq shtetësia britanike në dhjetor të 2019-ës ndërsa mbahej në kampin Al-Roj në verilindje të Sirisë.

Është i njëjti kamp ku mbahet nusja xhihadiste Shamima Begum, të cilës i është hequr shtetësia për shkak të arratisjes nga Britania e Madhe për t'iu bashkuar ISIS-it.

Gjykata dëgjoi se refugjatja tjetër si Begum-it – e emërtuar si D4 – e humbi shtetësinë për arsye sigurie kombëtare, me një shënim të vendosur në dosjen e saj në Home Office.

Megjithatë D4 nuk u informua për vendimin dhe mësoi vetëm se çfarë kishte ndodhur kur avokatët e saj filluan përpjekjet për ta riatdhesuar atë në Mbretërinë e Bashkuar në tetor 2020.

Një gjyqtar e anuloi vendimin për heqjen e shtetësisë së saj dhe gjyqtarët e Gjykatës së Apelit sot e lanë në fuqi këtë vendim.

Znj. Justice Ëhipple tha se ligji me kompetencën për të hequr shtetësinë “nuk jep kompetenca të një gjërësie të tillë që Sekretari i Brendshëm mund të gjykojë se është dhënë njoftim,  kur nuk është ndërmarrë asnjë hap për t'i komunikuar njoftimin personit në fjalë dhe thjesht është vendosur në dosjen e Home Office të personit.”

Lord Justice Baker vuri në dukje se ligji për Kombësinë dhe Kufijtë, i cili aktualisht po kalon në Parlament, përfshin masa për të lejuar qeverinë të heqë shtetësinë pa paralajmërim, por legjislacioni nuk është miratuar ende në ligj.

Zonja Begum u largua nga Britania e Madhe në moshën 15-vjeçare për t'iu bashkuar ISIS-it dhe iu hoq shtetësia në një çështje të profilit të lartë që u diskutua deri në Gjykatën e Lartë.

Tani 22 vjeçe, ajo është ende në kampin Al-Roj dhe bëri një apel të ri për një kthim në Mbretërinë e Bashkuar sot, duke thënë se donte të ndihmonte në luftën kundër terrorizmit.

“Lufta kundër terrorizmit nuk është punë e një njeriu, është e shumë njerëzve me aftësi të shumta”, tha ajo.

Vendimi për tërheqjen e shtetësisë së saj u mor nga Sajid Javid kur ishte Sekretar i Brendshëm. Ishte z. Javid ai që mori vendimin edhe për zonjën D4, kur ishte Kancelar dhe në mungesë të Sekretares së Brendshme Priti Patel.

Në përgjigje të vendimit, Ministria e Brendshme tha se planifikon të apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë.

 

“Qeveria nuk do të kërkojë falje për heqjen e shtetësisë së terroristëve, atyre të përfshirë në krim të rëndë dhe të organizuar dhe atyre që kërkojnë të na bëjnë dëm”, tha një zëdhënës.

“Heqja e shtetësisë ndodh vetëm pas shqyrtimit shumë të kujdesshëm të fakteve dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Çdo rast vlerësohet individualisht në bazë të meritave të veta dhe gjithmonë ka të drejtën e ankimit.

“Ne po shqyrtojmë me kujdes implikimet e këtij vendimi dhe synojmë të kërkojmë leje për të apeluar nga Gjykata e Lartë.”