VIDEO-SYRI TV/ Komisioni i Rithemelimit padit Spartak Brahon dhe Sokol Bizhgën

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së ka kallëzuar penalisht drejtorin e Drejtorisë së Forcave Lëvizëse Operacionale (FLO), Sokol Bizhga.

Padia ndaj tij ka lidhje me protestën e 8 janarit te selia blu.

Bizhga akuzohet për veprat penale "vrasje e mbetur në tentativë", "shpërdorim detyre", "pengimi në ushtrimin e të drejtës për t'u shprehur, grumbulluar apo manifestuar" dhe "shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese".

Për të njëjtën ngjarje Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së ka paraqitur padi penale edhe ndaj ish-deputetit Spartak Braho, të cilin e akuzon për shpifje.

Para protestës së 8 janarit, ish-deputeti, në një studio televizive paralajmëronte se tubimi i thirrur nga Sali Berisha do të kishte skenarë të dhunshëm, madje, sipas tij, do të përfundonte edhe me viktima, duke përmendur një deputet me inicialet E.A.