Njerëzit e Thaçit, Veselit e Haradinajt, kontrollojnë RTK-në edhe nën pushtetin e Albin Kurtit

Mjafton një kërkim i thjeshtë në internet dhe mund t’i shohësh një mal skandalesh, të raportuara tash e 22 vite pas luftës, të cilat ‘goditën’ Radio Televizionin e Kosovës. Me ndërrimin e pushteteve në vend, për transmetuesin publik, shpeshherë u raportua se u ndikua në masë të madhe nga politika.

Emërime politike dhe jomeritore bordesh, drejtorësh, punësime pa kritere, mbipopullim i mediumit, projekte milionëshe si të jashtme e të brendshme pa asnjë kriter, ishin disa prej akuzave që u drejtuan prej vitesh kundrejt RTK-së.

Përpos punësimeve partiake, në RTK nuk kanë munguar as punësimet familjare. Nepotizmi aty i ka rrënjët e thella.

Për t’iu shmangur reagimeve, ka raste kur edhe mbiemrin e ka ndërruar i punësuari  me të njofshëm.  Për shembull, drejtori aktual i televizionit, e kishte mbiemrin Muçaj, para se të punësohej në RTK me ndihmën  e prezantuesit të lajmeve në RTP dikur e në RTK më vonë, Mustafë Muçaj.

Festim Kabashi është vëllau i aktorit Afrim Muçaj, por u raportua se ndryshoi mbiemrin e tij, për t’u rehatuar në RTK!

Në kohën kur ai u punësua, punonin aty edhe xhaxhai i tij Mustafë Muçaj dhe vajza e xhaxhait, Anita Muçaj, Festimi u ‘detyrua’ ta ndryshojë mbiemrin, në mënyrë që të mos ketë shkelje ligjore, pra nepotizëm.

Emërime politike dhe jomeritore bordesh, drejtorësh, punësime pa kritere, mbipopullim i mediumit, projekte milionëshe si të jashtme e të brendshme pa asnjë kriter, ishin disa prej akuzave që u drejtuan prej vitesh kundrejt RTK-së.

Përpos punësimeve partiake, në RTK nuk kanë munguar as punësimet familjare. Nepotizmi aty i ka rrënjët e thella.

Për t’iu shmangur reagimeve, ka raste kur edhe mbiemrin e ka ndërruar i punësuari  me të njofshëm.  Për shembull, drejtori aktual i televizionit, e kishte mbiemrin Muçaj, para se të punësohej në RTK me ndihmën  e prezantuesit të lajmeve në RTP dikur e në RTK më vonë, Mustafë Muçaj.

Festim Kabashi është vëllau i aktorit Afrim Muçaj, por u raportua se ndryshoi mbiemrin e tij, për t’u rehatuar në RTK!

Në kohën kur ai u punësua, punonin aty edhe xhaxhai i tij Mustafë Muçaj dhe vajza e xhaxhait, Anita Muçaj, Festimi u ‘detyrua’ ta ndryshojë mbiemrin, në mënyrë që të mos ketë shkelje ligjore, pra nepotizëm.

Pazaret politike për drejtorët e RTK-së

Lidhjet familjare i ndihmuan Festimit jo vetëm që të punësohej, por edhe të arrinte pozita të larta falë mbështetjes politike.

Para tre vjetësh, kur zgjedheshin drejtuesit e RTK-së, anëtarët e bordit që u shkarkua nga shumica parlamentare e Albin Kurtit, nuk e fshihnin faktin se kishte një marrëveshje mes Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinajt për kandidatët që do merrnin postet. Konkursi, si gjithnjë, ishte thjesht formal, sepse hiset qenë ndarë tashmë.

Ngadhnjim Kastrati, i shkarkuar së fundmi, një gazetar i dobët që u shkonte pas politikanëve me pushtet të PDK-së, u bë drejtor i përgjithshëm me 6 vota, kundërligjshëm, ndërsa gjykata edhe pse u iniciua rasti, e injoroi ankesën e bërë nga Sindikata e RTK-së.

Pas disa vitesh punë si moderator në mediumin publik, Festim Kabashi në kohën kur partia e Haradinajt ishte në pushtet, u zgjodh drejtor i Televizonit të Kosovës. Kujtojmë që Ramushi dhe Festimi kanë lidhje familjare, pasi, Anita, vajza e xhaxhait të Festimit, është bashkëshortja e Ramush Haradinajt.

Në Radio Kosova ndërkohë, u bë drejtor një tjetër person që kishte lidhje me partinë e Haradinajt, ish-zëdhënësi i kësaj partie Ernest Luma.

Syri.net Kosova, tash e sa ditë  ka tentuar të marrë një sqarim nga Kabashi, mirëpo, i njëjti ka zgjedhur heshtjen.

Ai kur është kontaktuar me telefon nga redaksia, ka kërkuar që pyetjet t’i drejtohen në e-mail, por, tash e një javë nuk ka kthyer asnjë përgjigje!

Syri.net Kosova ka provuar të kontaktojë edhe me Kastratin, mirëpo, i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Zgjedhja e Kastratit e Kabashit u pasua nga zgjedhjet e dy zëvendësdrejtorëve që kishin edhe më herët përgjegjësi të larta menaxheriale, si njerëz të politikës gjithashtu. PDK i kishte të preferuarit e saj. Mentor Shala dhe Lorik Arifaj, i pari ish-drejtor i përgjithshëm dy mandate, ndërsa i dyti ish-drejtor i Televizionit të Kosovës, janë pjesë e vendimmarrjes me pasoja të rënda në këto vite në mediumin publik.

Pavarësisht ardhjes së bordit të ri, struktura menaxheriale e mëhershme, e cila akuzohet për keqpërdorime e keqmenaxhim të madh, mbetet e fuqishme dhe e paprekshme, një vit pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit.

Vetëvendosje kur ishte në opozitë kishte protestuar kundër menaxhmentit të RTK-së dhe kishte pasur edhe konfrontime me drejtues të mediumit publik. Si opozitarë, ishin zotuar se do të vendosnin rend dhe rregullt, ndërsa përgjegjësit do të kishin punë me drejtësinë.

Askujt, deri më tash nuk i ka hyrë një “therrë në këmbë” për zhytjen në kaos të RTK-së.

Bordi i ri bëri vetëm një ndryshim

Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2021 e ka zgjedhur Bordin e Radio Televizionit të Kosovës me këtë përbërje: Fatmire Lumi Qehaja, Arta Berisha, Albulena Mehmeti, Shukrije Rama, Driton Hetemi, Besnik Boletini, Safet Kabashaj dhe Bekim Sele.

Kryetar i bordit është Besnik Boletini.

Ky bord, pasi kaloi një muaj, prej se u zyrtarizua, i gjendur nën presion të shtuar publik për ndryshime të shpejta, mori vendim ta shkarkojë drejtorin e RTK-së, Ngadhnjim Kastratin, duke ja numëruar një varg shkeljesh, të cilat pretendohet se i ka bërë ai gjatë mandatit të tij.

Por, sigurisht, në këto shkelje ai ka edhe bashkëpunëtorët e ngushtë, zëvendësdrejtorët, drejtori i Televizionit dhe menaxherët e tjerë të lartë.

Bordi caktoi si ushtrues detyre i drejtorit, redaktorin Shkumbin Ahmetxhekaj.

Menjëherë me të marrë pozitën e u.d. të drejtorit gjeneral të RTK-së, Syri.net Kosova ka kontaktuar me Ahmetxhekajn, për të kuptuar planin e tij, lidhur me rimëkëmbjen e mediumit publik.

Pas një bisede përmes telefonit, Ahmetxhekaj, ka kërkuar që pyetjet e tilla t’i adresohen nëpërmjet e-mailit.

Por, sikurse bashkëkolegët e tij në RTK, Ahmetxhekaj, tash e një javë nuk ka kthyer asnjë  përgjigje!

Deputeti Uka pret llogaridhënie para drejtësisë

Kur jemi gati dy muaj prej se në Kuvendin e Kosovës u votua Bordi i ri i RTK-së, përveç një deputeti i cili mori pjesë në intervistimin e kandidatëve për bord, të tjerët ‘zgjodhën’ të mos flasin për pritjet nga ky bord.

Syri.net Kosova, tash e një javë ka provuar të marrë një mendim nga kryetari i këtij komisioni, Armend Zemaj, Blerta Deliu nga PDK anëtare, për pritjet nga bordi i ri, mirëpo, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Deliu nga PDK, nën arsyetimin se ka qenë prezente vetëm në dy mbledhje, nuk ka pranuar të jap ndonjë koment tjetër.

I vetmi i cili  foli për pritjet nga Bordi i ri i RTK-së, ishte deputeti dhe anëtari i këtij komisioni, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka.

Uka për Syri.net Kosova deklaroi se procesi i përzgjedhjes së Bordit të RTK-së, ka qenë një nga proceset më transparente, i përcjellur me nota pozitive nga të gjithë akterët e përfshirë.

“Unë besoj që ata që janë vlerësuar si të denjë për atë pozicion, dhe që janë votuar nga ana e Kuvendit, do të bëjnë punë të mirë” tha ai.

Uka shton se nga bordi pret që të ketë një vlerësim objektiv, të përformancës së RTK-së

“Nga Bordi pres që të ketë një vlerësim objektiv të performancës së RTK-së, identifikim të problemeve, keqpërdorimeve dhe adresim të tyre. Me një fjalë, pres që të kryejnë punën për të cilën kanë marrë mbështetjen e deputetëve. Me atë që kemi lexuar dhe kuptuar, në RTK ka pasur për një kohë të gjate dyshime për manipulime dhe keqpërdorime. Nëse të tillat dëshmohen, pres që të jepet llogari edhe para ligjit” përfundoi Uka.

Fadil Hoxha: A do ta shkarkojë Shkumbin Ahmetxhekaj drejtorin Festim Kabashi?

I njohur si i vetmi në RTK, i cili ua nxori shumë ta palara menaxhmentit të RTK-së, ishte Fadil Hoxha, kryesindikalisti i mediumit publik.

Hoxha, në një seri shkrimesh në rrjetin social Facebook, ka vënë në pah problemet me të cilat ballafaqohet RTK-ja.

Ai së fundmi ka komentuar emërimin e Shkumbin Ahmetxhekaj si u.d. i Drejtorit Gjeneral të RTK-së, nga bordi i ri.

Hoxha, deklaron se për aq sa e njeh Ahmetxhekaj, ai dyshon se do të jetë në gjendje ta shkarkojë nga detyra Drejtorin e Televizionit, Festim Kabashin.

"Sa e njoh u.d. drejtorin gjeneral te sapo zgjedhur, ai ne asnje rrethane nuk do te jete ne gjendje ta shkarkoje Festim Kabashin, ashtu sic nuk ka qene i gatshem Ngadhnjim Kastrati ta shkarkoje Mentor Shalen" shkruan ai.

Tutje, Hoxha shtoi se nuk mund të flasim për ndryshim nëse e heqim një klan dhe e zëvendësojmë atë me një klan tjetër.

Kujtojmë se shumica e menaxhmentit gjatë viteve të fundit u kritikuan edhe nga shoqëria civile për menaxhimin e dobët që iu bë mediumit publik.

Njëri ndër zërat më kritik, karshi situatës me RTK-në ishte edhe analisti, Agron Demi.

Demi u përball edhe me padi nga RTK, pasi, u akuza për shpifje, dëmtim të imazhit si dhe rënie në financim, si shkak i një postimi të Demit, i cili ‘rekomandon’ mbylljen e RTK-së.

Pas këtij vendimi, një grup i organizatave joqeveritare dhe aktivistëve kishin shprehur shqetësim për padinë e ushtruar nga televizioni publik, ndaj Demit.

Por, as padia nuk e ndali Demin, që t’i adresojë shqetësimet e tij, karshi situatës në RTK.

Demi, në një shkrim tjetër në Facebook, paralajmëronte burg për menaxhmentin e RTK-së.

Syri.net Kosova ndër vite raportoi edhe për kontratat ‘pa kriter’ e të shtrenjta që u dhanë nga RTK.

Ndër to ishte Projekti për Teuta Krasniqin, motrën e kryetarit të tanishëm të PDK-së, projektin ‘Sekrete Kuzhine’ për aktorin dhe ish-anëtarin e PDK-së, Fisnik Ademi, projektin ‘Kojshia Show’, për të cilat pati kritika të ashpra e shumë raste të tjera.

Por, këto janë vetëm ‘maja e ajsbergut” në RTK-në e zhytur në borxhe e krizë të thellë. Së fundmi është paralajmëruar se Zyra Kombëtare e Auditimit do ta auditojë mediumin publik, që nuk i është nënshtruar asnjëherë një auditimi të tillë.

Megjithatë, fati i RTK-së mbetet i paqartë, i udhëhequr sërish nga njerëzit e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinajt, për sa kohë Bordi i ri, duket i pafuqishëm që të bëjë ndryshimet e pritura nga publiku në kupolën e mediumit publik.

Pa definim të financimit, të pronës dhe zhvillimit afatgjatë, RTK mbetet në udhëkryq, me shpresën e zbehur tashmë se pushteti i Albin Kurtit do t’i jepte fund së keqes që e ka pushtuar këtë institucion të rëndësishëm, por të degraduar deri buzë falimentimit.