Befasohen shkencëtarët: Çfarë është objekti i frikshëm në hapësirë?

Shkencëtarët në Australi thonë se kanë zbuluar një objekt të panjohur që rrotullohet në Rrugën e Qumështit. Ata pretendojnë se nuk kanë parë asgjë të tillë më parë.

Lajmi në fjalë po dominon mediat ndërkombëtare dhe është më i lexuari te BBC.

Rrjeti britanik shkruan se objekti u zbulua fillimisht nga një student.

Ky objekt lëshon një shpërthim të madh energjie radio- elektromagnetike çdo 18 minuta. Ky shpërthim energjie zgjat për një minutë të plotë.

Objektet që pulsojnë energji zbulohen shpesh në univers. Por shkencëtarët thonë se është e pazakontë që ai qëndron i ndezur për plot një minutë.

Shkencëtarët thonë se po punojnë për të kuptuar më shumë.

Astrofizikantja Natasha Hurley-Walker thotë është diçka e papritur dhe e frikshme.

“Kjo është krejt e papritur. Është edhe drithëruese për një astronom, sepse asgjë nga ato që ne njohim në qiell, nuk e bën diçka të tillë”.

Edhe astrofizikantja Gemma Anderson tha se është shumë e çuditshme që objekti ndizet për një minutë të plotë.

Objekti në fjalë është rreth 4 mijë vite dritë larg Tokës dhe është shumë i shndritshëm. Sipas shkencëtarëve, objekti ka një fushë jashtëzakonisht të fortë magnetike rreth vetes.

Disa shkencëtarë thonë se mund të jetë një yll neutron. Të tjerët thonë se mund të jetë një xhuxh i bardhë, një term që përdoret për mbetjet e një ylli të shkatërruar. Megjithatë zbulimi mbetet ende një mister i madh.