Gaz Bardhi: I dënuari për vjedhje, më i respektuari i Fierit

Standardi i deputetëve Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha është: nëse je i dënuar dhe ke bërë burg, je i nderuar dhe i respektuar.

Indikator për këtë qasje të të dy të shkarkuarve nga anëtarësia e demokratëve me shumicë absolute votash, është rasti i Agron Kapllanajt i emëruar nga Lulzim Basha si kryetar i degës së PD në Fier, vendim i cili është i pavlefshëm.

Agron Kapllanaj po promovohet nga Basha dhe Bardhi si njeriu që përfaqëson moralin dhe të ardhmen e PD.

“Agron Kapllanaj është një nga demokratët më të votuar dhe më të respektuar në zonën e Fierit”, shprehet Gazment Bardhi, i shkarkuar nga Sekretar i Përgjithshëm i PD.

Por kush është Agron Kapllanaj?
Rehabilitimi i tij në politikë është një mister që shoqërohet me plot dritëhije. Ai është një emër i njohur për drejtësinë italiane.

Përtej ‘Adriatikut’ ai ka një skedë mjaft të pasur në veprimtari kriminale, ndërsa ka qenë i dënuar edhe me burg. Një gjë të tillë e ka deklaruar vetë ish-kryetari i Bashkisë Mallakastër (2015-2019) në formularin e dekriminalizimit që ka dorëzuar në KQZ.

Siç edhe mund ta shihni nga dokumenti që publikon SYRI, Kapllanaj rezulton i dënuar në Itali në vitin 2003 me 2 vite burg për vjedhje. Dënimi i tij është dhënë nga Gjykata e Firences. Ky rast rrëzon të gjithë teorinë e Lulzim Bashës për Vettingun në politikë. Por kjo s'e ka penguar aspak Kapllanajn që të rritet politikisht dhe të shndërrohet në të preferuarin e Lulzim Bashës. Arsyeja tashmë është e kuptueshme.

32 mln euro tendera nga Edi Rama
Por dënimi në Itali është vetëm maja e ajsbergut e asaj që kompromenton figurën e tij në politikë.

Agron Kapllanaj ka të dhëna se bashkëpunon me Edi Ramën dhe me disa nga kryetarët socialistë të bashkive.

Ai dhe vëllai i tij Shkëlqim Kapllanaj, përmes kompanisë së ndërtimit që ndodhet e regjistruar në emër të këtij të fundit kanë përfituar vetëm në 8 vite (nëntor 2013-dhjetor 2021) plot 32 milionë euro tendera.  

Të dhënat i përkasin QKB-së dhe Thesarit të Shtetit, siç mund të shihet edhe nga dokumentet që sjell SYRI.

Firma me pronar 'blu' e pazare 'mavi' disa nga tenderat milionësh i ka rrëmbyer në ortakëri me oligarkë, e disa me ministra dhe kryebashkiakë të PS.

Bie në sy, fakti se firma ‘Shkëlqimi 07’, afro 80% të tenderëve i ka marrë në bashkitë dhe entet publike, të zonës Vlorë-Fier-Lushnjë-Berat, ku duket sikur e ka ‘zonë autonome tenderësh’.

Faktikisht, pazaret e tenderëve me kryebashkiakun e Vlorës, Fierit, Roskovocit, Patosit, Beratit, Lushnjes e madje dhe me pasardhësin e tij në Ballsh, i bënë vetë ish-kryebashkiaku Agron Kapllanaj, ndërsa letrat i firmos vëllai i tij, që ka emrin në QKB.

Paratë janë alokuar nga buxheti i shtetit me firmë të Edi Ramës i cili në këto raste e zgjidh qesen e financave pa u menduar dy herë, por ama për qytetarët e varfër të këtij shprehet se vendi shteti nuk ka lekë që t’u vijë në ndihmë...

Kapllanaj do ndërtojë te '5 maji'
Gjithashtu, gjurma e Agron Kapllnajat dhe kompanisë së vëllait të tij “Shkëlqimi 07” është edhe të projekti i shembjes së shtëpive të banorëve te lagjja ‘5 maji’ në Tiranë, ku është parashikuar ndërtimi i kullave shumëkatëshe.

E gjitha ndodh në një kohë kur demokratët e Fierit, që thotë se përfaqëson Agron Kapllanaj dhe ata në të gjithë vendin, po i drejtohen vitit të 12-të në opozitë, ndërsa Edi Rama po shijon i pashqetësuar mandatin e tretë, të qeverisjes mizerable, në pazar me Lulzim Bashën.