Spanja shpëton 319 emigrantë pranë ishujve Kanarie, 18 të tjerë dyshohen të vdekur

Të paktën 319 emigrantë janë shpëtuar ndërsa përpiqeshin të kalonin Oqeanin Atlantik me disa varka të ndryshme, sipas autoriteteve spanjolle. Shërbimet e urgjencës në Ishujt Kanarie raportuan se 24 fëmijë ishin në mesin e atyre që u shpëtuan të mërkurën.

Por OJQ-ja Walking Borders thotë se të paktën 18 persona që udhëtonin në njërën nga varkat e emigrantëve kishin vdekur.  “Mjetet e shpëtimit u aktivizuan shumë vonë, pavarësisht se kishte vendndodhjen e varkës”, shkroi Helena Maleno, themeluesja e OJQ-së, në një postim në Twitter.

Anijet spanjolle të shpëtimit i lokalizuan varkat në vende të ndryshme gjatë natës të martën, tha një zëdhënës i Shërbimit të Shpëtimit Detar për Associated Press. 

Zëdhënësi shtoi se shpëtimtarët nuk gjetën trupa brenda ose pranë anijeve, por tha se nëntë persona u gjetën të gjallë, të kapur pas një varke të përmbysur pranë ishullit Lanzarote.

Shërbimi i urgjencës 112 i Ishujve Kanarie tha se nëntë të rritur dhe një foshnjë në mesin e 319 të mbijetuarve u dërguan në institucionet shëndetësore lokale në arkipelag. Shumica e të shpëtuarve besohet të jenë nga Afrika Veriore dhe Qendrore.