FOTO/ U përplas kokë më kokë me portierin dhe ra pa ndjenja, Sadio Mane jep mesazhin nga spitali

Ylli i Liverpoolit, Sadio Mane, ka thënë se është mirë, pasi u dërgua në spital urgjentisht për shkak të një goditjeje që mori në kokë gjatë fitores së Senegalit kundër Kape Verde në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Ishin ngritur shqetësime të mëdha pasi Mane u përplas kokë më kokë me portierin e Kape Vergës, Vozinha.

Vozinha u përjashtua me karton të kuq për këtë përplasje.

Mane pati nevojë për mjekim në fushë dhe befasisht u lejua ta vazhdonte lojën.

Ai e shënoi golin e fitores së Senegalit për t’ia siguruar çerekfinalen.

Por 29-vjeçari, i cili i kishte humbur ndjenjat gjatë përplasjes, u rrëzua në tokë pasi e festoi golin dhe më pas u nxor nga loja.

Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Senegalit Aliou Cisse konfirmoi se Mane ishte dërguar në spital: “Atij i ra të fikët, koka e tij po sillej dhe u desh të dërgohej në spital”.

Mane më vonë e publikoi një fotografi ku shihet i shtrirë në spital dhe përballë Vozinhas.

Ai konfirmoi se është mirë, por paraqitja e tij në ndeshjet e ardhshme në këtë turne është në dyshim.

“Fatmirësisht, gjithçka është mirë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet”, shkroi Mane në Instagram.