Muriqi jep 'OK', klubi spanjoll nis bisedimet me Igli Taren

Duket se e karriera e Vedat Muriqit do të vazhdojë në La Liga. Sulmuesi kosovar ka dhënë pëlqimin e tij dhe do të largohet nga Lazio në këtë merkato për t’iu bashkuar klubit të Majorkës në kampionatin spanjoll të futbollit, raporton “AS”

Mirëpo problemi për momentin është paga e lojtarit dhe formula e transferimit. Muriqi përfiton 2.2 milionë euro në sezon te Lazio, ndërsa paga më e lartë në klubin spanjoll shkon në 2 milionë euro. Në krahun tjetër Igli Tare dëshiron një huazim me detyrim blerjeje për 10 milionë euro në fund të sezonit.

Por drejtori sportiv shqiptar është i hapur edhe për një tjetër alternativë, atë të huazimit me të drejtë blerjeje, që mund të kthehet në detyrim vetëm nëse Majorka siguron qëndrimin në La Liga për sezonin e ardhshëm. Sa i përket klubit spanjoll, kemi të bëjmë me një ofertë huazimi me të drejtë blerjeje për 7-8 milionë euro në fund të sezonit.