VIDEO/ Vdekja e 3-veçares nga pneumonia, dëshmia e babait: Mjeku më tha ka virozë! Dua drejtësi

Vajza 3 vjeçe e familjes Islami në Elbasan humbi jetën 6 ditë më parë në urgjencën e spitalit, pasi kishte disa ditë me komplikacione shëndetësore. Babai i të miturës në një intervistë ekskluzive për Syri Tv kërkon nga drejtësia shqiptare të zbardhë ngjarjen pasi edhe pse kanë kaluar disa ditë ende nuk ka një përgjigje konkrete.

 SYRI TV

Vajza e mitur e familjes Islami ndërroi ndërroi jetë në urgjencën e spitalit të Elbasanit 6 ditë më parë, por ende familjarët nuk kanë një shkak se përse ndodhi ngjarja e rëndë.

Babai i të miturës Agim Islami në një intervistë ekskluzive gazetarin e Syri Tv Migen Sejdini, tregon të gjithë momentet e natës së 16 janarit.

Agim Islami, babai i vajzës fatkeqe, apelon që drejtësia të gjejë shkakun sa më parë pasi është e pashpjegueshme ende se përse vajza e tij humbi jetën.

Për vdekjen e vajzës së mitur në spitalin e Elbasanit Prokuroria po heton në gjendje të lirë mjekun e urgjencës së pediatrisë.

Sipas policisë, vajza e mitur dyshohet se humbi jetën për shkak të neglizhencës në trajtimin mjekësor, ndërsa në pyetje është marrë dhe mjekja që vizitoi më herët të miturën duke e cilësuar diagnozën si: virozë të stinës, në një kohë kur ajo ka patur probleme me mushkëritë, nga bronko-pneumonia.   

"Për vdekjen e vajzës unë si prind dyshoj te temperatura. Para dy vitësh e vizitoi doktori dhe tha nuk ka gjë. Unë nuk e njoh personalisht, atë ditë e kam parë. Doktori po e vuri aparatin këtu e kupton që është sëmurë. Ka virozë tha". 

Çfarë pret nga drejtësia?
Goca nuk vjen më. Këtë e di. Goca ime do ta bëjë drejtësinë? Ndoshta e bën. Mund t'i hidhja nga kati i 4 ata, por le t'i hedhë shteti, n.q.s kanë bërë vrasësin e gocës time. 

Ju kërkoni mjekun përgjegjës?
Dua shkakun pse vdiq. E merr ai që e ka vizituar 2-3 ditë para, të ndiqet penalisht, ndoshta i ka dhënë mjekim të keq. E kam dërguar në datën 16, e ka pritur doktor Gentian Alla. Goca kishte pak kollë, i thash infermieres t'i bëjë avull, e mori ajo dhe u qetësua. Mora nusen dhe gocën me makinë dhe shkova te farmacia e më dha ilaçet. Ishte e diel. Të hënën dhe të martën ishte mirë goca. Të martën pasdite gocës i nxihet buza, më merr nusja në telefon nusja. Vij dhe e çoj gocën në spital. Ata nuk i bënë asnjë vizitë. I morën gjakun dhe e futën në serum. Goca për 5 minuta nuk foli, mbylli sytë. Sa shkova i matën temperaturën, e kishte 36.7. Nga ora 19:30 e deri në orën 22:00 ata nuk ia matën më temperaturën, goca po bëhej akull. Nuk i bënë asnjë vizitë, direkt serumin dhe oksigjenin. Në orën 22:00 më thanë shpejt ta çojmë në Tiranë. I hoqën serumin goca nuk merrte frymë, erdhi doktoreshë Irena i bëri ultrakorten, goca nuk merrte frymë.  


Receta e mjekimit e lëshuar nga mjeku Gentian Alla