Detyrimi i heshtur i marrjes së vaksinës që po e refuzon Kosova

Pas çdo vale të re të pandemisë COVID-19, që po godet me gjithë fuqinë në shumë vende të botës, e duke mos përjashtuar as Kosovën, vijnë edhe thirrjet për vaksinim sa më masiv nga autoritetet shëndetësore, shkruan Syri.net Kosova.
Numri i rënduar i rasteve të infektuara, sidomos, ditëve të fundit në vend ka ngjallur edhe njëherë thirrjet e profesionistëve shëndetësorë të cilët vlerësojnë se vaksinimi masiv kundër COVID-19 është i domosdoshëm edhe në Kosovë.

I përjashtuar gjatë, diskutimi po kalon gjithnjë e më shumë në fushën e të mundshmes: vaksinimi me detyrim, pasi edhe masat e reja të fuqizuara në Kosovë nga Qeveria e ‘obligojnë’  tre-dozëshin e vaksinës për të hyrë apo dalë nga vendi, derisa po kundërshtohet ashpër.

Shumë vende tashmë evropiane kanë vendosur t'i bëjë të detyrueshme vaksinimet nga ky vit, derisa në Kosovë ende nuk ka zëra për ndonjë vendim për të ngadalësuar valën e infektimeve me vaksinime me detyrim.

Për vaksinim masiv, bën thirrje edhe infektologu, Hamdi Ramadan përmes një prononcimi për Syri.net Kosova,  i cili thotë që vetëm me anë të vaksinimit do i vijë fundi kësaj sëmundjeje.

“Po bëhet viti i tretë me praninë e Covid-19, dhe po paraqet mjaft probleme shëndetësore infeksione sëmundje, e vdekje, thuajse në tërë botën me shifra alarmante në botë, por dhe vendin tonë. E vaksinimi masiv do të mund të arrij fundin e saj, për të cilen unë parashikoj që në fund të këtij viti me anë të vaksinimeve në masë të qytetarëve mbi 70% në botë do të ndodh.   Edhe tani jemi në vaksinim me dozë të përforëcuar, kjo do të vazhdojë deri sa të arrihet imunitet në masë mbi 70 deri 80% e qytetarëve, si rrjedhojë edhe situata do të mund të kontrollohet me vaksinë. Koronavirusi do të jetë i pranishëm por, më i butë dhe më i kufizuar dhe kontrolluar në glob me anë të vaksinimit masiv. E ritheksoj se pandemia Covid-19 do të jetë një situatë ku mund të kontrollohet me vetëm me vaksinim masiv në masë në botë siç po ndodh tani, dmth s’ka detyrim por ka vaksinim dhe imunizim kundër pandemisë si dhe vaksinim kundër gripit sezonal. Vaksina ka detyrë mbrojtjen e shëndetit nga infeksioni... Dhe tashmë dihet se 11 herë vdesin më shumë ata që nuk janë të vaksinuar dhe imunizuar me vaksinë se sa ata që janë të vaksinuar”, shprehet Ramadani.

Syri.net Kosova ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë për të mësuar nëse do të propozohet për një vendim të tillë.
Megjithkëtë, MSh nuk i është përgjigjur pyetjes së redaksisë në lidhje më vaksinimin e detyrueshëm.
E nëse bëhet një gjë e tillë, sa do të jetë kushtetuese, Jeton Noci, Hulumtues i IKD-së, shprehet se një masë e tillë për të qenë kushtetuese duhet domosdoshmërisht të përcaktohet me ligj.

“Për të qenë kushtetuese, në përgjithësi vendimi lidhur me vaksinimin e detyrueshem nje masë e tillë duhet domosdo  të përcaktohet me ligj, të përmbush një qëllim për të cilin lejohet dhe e bën të domosdoshëm vaksinimin  si dhe të jenë të nevojshme në një shoqëri të hapur dhe demokratike (neni 55 i Kushtetutës).Pos që vaksinimi I detyrueshëm të përcaktohet me ligj, masat e ndërmarra duhet edhe të synojnë të përmbushin një qëllim të caktuar për të cilin lejohet kufizimi i të drejtave apo obligimi për të vepruar në një mënyrë të caktuar. Përmes këtyre masave, nënkuptohet që përmes ligjit, ligjvënësi synon të mbrojë shëndetin publik dhe të drejtat e personave tjerë. Padyshim që këto qëllime janë legjitime.  Më e rëndësishmja, konform Kushtetutës, nuk mjafton vetëm që masa të tilla të jenë të parapara me ligj dhe të ndjekin një qëllim legjitim siç është mbrojtja e shëndetit publik dhe të drejtat e personave tjerë. Këto masa, përveç kësaj, duhet edhe të jenë të nevojshme në një shoqëri të hapur dhe demokratike, pra të jenë proporcionale në kuptimin e gjerë”, shprehet Noci për Syrin.

Ai tutje shprehet se në parim edhe sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ) në Strasburg, lejohet që të vendosen kufizime të për personat, për të ndjekur qëllimin legjitim të mbrojtjes së shëndetit dhe të drejtave të personave tjerë, por natyrisht kur dihet se vaksinat e tilla duhet të jenë të sigurta dhe efektive, gjë e cila vlerësohet nga komuniteti shkencor.

“Në parim, edhe sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ) në Strasburg, lejohet që të vendosen kufizime të caktuara (madje edhe sanksione proporcionale) për personat, për të ndjekur qëllimin legjitim të mbrojtjes së shëndetit dhe të drejtave të personave tjerë. Kjo konfirmohet edhe në rastin e fundit për këtë temë pranë GjEDNJ, Vavřička and Others v the Czech Republic (2021). Sipas GjEDNJ, pasojat e caktuara për personat e pavaksinuar (i.e., vaksinimi i detyruar)  parimisht është i lejuar si arsye relevante dhe e mjaftueshme që ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, përmes arritjes së shkallës sa më të lartë të vaksinimit apo edhe të imunitetit të tufës (§285)".  
 "Natyrisht, vaksinat e tilla duhet të jenë të sigurta dhe efektive, gjë e cila vlerësohet nga komuniteti shkencor (§291). Përgjithësisht, pasojat për të pavaksinuarit do të jenë të lejuara në parim po qe se pasojat mbi personat e pavaksinuar janë më pak të rënda sesa pasojat që do barte shoqëria për shkak të mosvaksinimit të këtyre personave. Në veçanti, këtu kihen parasysh pasojat që do të kishin personat të cilët nuk kanë mundësi objektive të përfitojnë nga vaksinimi (§306), siç janë fëmijët, gratë shtatzëna, personat me sistem imunitar të dobësuar, etj; apo edhe pasojat për shoqërinë e gjerë në rastet kur shpërthimet e mëdha të sëmundjeve infektive do të sillnin ndërprerje të funksionimit normal të shoqërisë (§300). Kjo praktikë e Gjykatës së Strasburgut, konform Kushtetutës, shërben për të interpretuar të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutën e Kosovës (neni 53)”, nënvizon Noci.

Ndërkaq sipas specialistes për hulumtime të politikave globale shëndetësore,Hana Xhemajli, vaksinimi i detyrueshëm nuk është diçka që duhet konsideruar në vendin tonë, mirëpo sipas saj, duhet të fokusohemi që në një mënyrë që të i ndajmë të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit me rregulla dhe politika të drejta.

“Kosova për kundër faktit që ka filluar me vaksinim masiv pas gjysmës së vitit 2021, qëndron tejet mirë me perqindje të popullatës të vaksinuar me dy doza. Ne krahasim me rajonin, qendron e para në listë, edhe pse gjatë kësaj periudhe ka has në lajme dhe informata  rrejshme  kundër vasksines covid 19. Duke pas kete parasysh, vaksinim i detyruar nuk është diçka që duhet konsideruar në vendin tonë, mirëpo duhet të fokusohemi që në një mënyrë që të i ndajmë të vaksinuarit dhe të pavaksinuarit me rregulla dhe politika të drejta.  Deri më tani Austria është i vetmi vend në Evropë që do ta bëjë vaksinimin e deryrueshëm prej Shkurtit të ketij viti dhe kjo vjen si rezultat i përqindjes të ulët të vaksinimit në vend dhe fushatave të mëdha kunder vaksinimit. Në situata të tilla, vlen së paku të hapet kjo rruge mirepo kjo nuk vlen edhe tek ne. Unë insistoj më tepër në fushata informuese të vaksinimit, dhe edukimit të mirëfilltë të atyre që ende hezitojnë të vaksinohen”, shprehet Xhemajli për Syrin.

Kujtojmë se për shkak të vendimit për vaksinim të detyrueshëm në disa vende të botës, kanë pasuar protesta të shumta nga qytetarët./Syri.net Kosova