Zbulohen detajet e transferimit të Vlahovic te Juventus, vendimin e kishte marrë në vitin 2020

Sulmuesi i Fiorentinës Dushan Vlahovic do të bëhet lojtari i ri i Juventusit për 67 milionë euro dhe mediat në Itali zbulojnë prapaskenat e këtij transferimi, teksa shprehen se vendimin e ka marrë në vitin 2020 dhe se e ka ditur qartë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Që nga ai moment, më saktë nga viti 2020, Vlahovic refuzoi oferta edhe më të mëdha dhe më të fuqishme financiarisht nga Arsenali, Newcastle, Atletico Madrid, Tottenham dhe Borussia Dortmund dhe në ditët e para të janarit 2022 mori një ofertë nga Newcastle me vlerë 12 milionë euro në sezon.

Mirëpo, ai dëshironte të bëhej lojtar i ri i Juventusit dhe në këtë drejtim refuzoi të gjitha transferimet e tjera të mundshme, pavarësisht se vetë Fiorentina ishte gati të pranonte largimin në çdo klub tjetër.

Sipas mediave në Itali, Vlahovic do të fitojë tetë milionë euro në sezon te Juventusi dhe do të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare.

Duke qenë se tashmë është e qartë se Vlahovic kishte një marrëveshje personale me Juventusin, nuk ka dyshim se informacioni i mediave italiane ishte i saktë se ai dhe agjenti i tij nuk iu përgjigjën thirrjeve nga Arsenali, që ishte gati t'i ofronte një kontratë më të mirë.

Në fund shtohet se është vetëm çështje kohe që të konfirmohet zyrtarisht ky transferim i madh, ndërsa mediat në Itali shtojnë se Vlahovic i ka zhgënjyer shumë tifozët e Fiorentinës me zgjedhjen e tij.