Shpërthimi në banesën e Dukës, reagojnë presidentët e Federatave të Kosovës dhe Maqedonisë

Presidentët e Federatave të Futbollit të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kanë dalë në krah të Armando Dukës, pas shpërthimit të ndodhur në banesën e kreut të FSHF-së.

Kreu i Federatës së Kosovës, Agim Ademi

I tronditur me lajmin që mbrëmë vonë është sulmuar me tritol shtëpia e presidentit të FSHF-së, Armando Duka në Durrës.

Akti i tillë kriminal e i shëmtuar përveç se ka shkaktuar frikë e tronditje në familjen Duka, pa dyshim është një ngjarje e rëndë edhe për futbollin shqiptar dhe Shqipërinë si shtet në përgjithësi, veçmas duke pasur parasysh faktin se z. Duka është edhe anëtar i KE të UEFA-s.

Fatmirësisht miku im Armand Duka dhe familja e tij janë mirë dhe kanë kaluar pa pasoja nga ky akt i njerëzve të ligë.

Familjes së tij i ofroj tërë mbështetjen time dhe të komunitetit të futbollit kosovar, me shpresë që kryerësit e këtij akti të vihen para drejtësisë dhe në të ardhmen të mos ballafaqohet me ngjarje të tilla.

Kreu i Federatës së Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini

Shpërthimi para shtëpisë së Armando Dukës, një akt i shëmtuar

Nuk dua të mendoj me konspiracion për një lidhje ndërmjet aksioneve të fundit të njerëzve të politikës dhe shpërthimit me tritol para shtëpisë së presidentit të FSHF-së, por nuk qëndroj dot indiferent ndaj një veprimi të tillë të shëmtuar. Mbrëmë në fakt u sulmua Anëtari i Komitetit Egzekutiv të UEFA-së, njeriu që mes tjerash bëri që Tirana këtë vit të paktën për një ditë të jetë qendra e futbollit europian me pritjen e finales së Conference League. Impaktit që kjo ndeshje do t’i jep Tiranës dhe Shqipërisë, sigurisht nuk i bëjnë nder aktet si ky i mbrëmshmi.

E mira e vetme e gjithë këtij akti të shëmtuar është se gjithçka kaloi pa lëndime e as që dua ta mendoj, larg qoftë të kishte viktima në njerëz.

Por dëmi gjithsesi se është i madh, posaçërisht nëse llogarisim me syrin e çdo qytetari jashta Shqipërisë e që në aktin e mbrëmshëm shikojnë sulm ndaj futbollit shqiptar.