Kapet me mbi 27 kg kanabis në makinë, arrestohet i riu

Sekuestrohen 27 kilogramë e 600 gram kanabis. Në pranga ka rënë poseduesi i lëndës narkotike ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij.

"Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, finalizuam me sukses operacionin e koduar "Transporter", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. G., 29 vjeç, banues në Gjirokastër. Në aksin rrugor Kakavije-Gjirokastër, në vendin e quajtur "Kthesa e Sofratikës", gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin tip "Toyota Yaris", me drejtues shtetasin M. G., u gjetën 27. 6 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa" njoftoi policia.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme bënë shpalljen në kërkim të shtetasit K. M., 28 vjeç, banues në Gjirokastër, i dyshuar si bashkëpuntor. Po punohet intensivisht për kapjen e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda e dyshuar narkotike, automjeti dhe tre aparate celulare.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.