Tritol Dukës/ Berisha: Akt terrorist shtetëror i klanit Edvin-Olsi Rama

Nga Sali Berisha

Në vend të votës, 60 plumba në SMS, SKAPE dhe tritol! Kjo nuk është republika moniste e Old Major-it të George Orwell-it! Por kjo është narkorepublika moniste e Old Major-it të George Soros-sit!

Tritoli në derën e shtëpisë së Armand Dukës! Akt i mirëfilltë i terrorizmit shtetëror të klanit Edvin-Olsi Rama.

Të dashur miq, një super skandal shpërtheu dy ditët e fundit në fushatën zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Mediat njoftuan mbrëmë se në derën e shtepise te Presidentit te Federates Shqiptare te Futbollit, Armand Duka u vendos dhe shpërtheu një eksploziv i fuqishëm, tritol.

Ky akt i mirëfilltë i terrorizmit shtetëror ndaj zotit Duka vjen si formë kulmore terrori ndaj tij i klanit të mafies shtetërore më të rrezikshme të Europës, Edvin dhe Olsi Rama. Ky klan mafioz meqenëse nuk sigurojnë dot votat për pushtimin në zgjedhjet e 2 marsit të FSHF, ishullit të fundit që nuk ndodhet në pushtetin e tyre, ka vendosur ta pushtojë atë ‘manu militari’ qoftë dhe me akte terroriste.

Vendosja e tritolit në shtëpinë e Armand Dukës nga klani i mafies më të rrezikshme shtetërore të Europës, Edvin dhe Olsi Rama vjen pas një seri aktesh të tjera kriminale të ndërmarra për këtë qëllim ndaj tij nga ky klan.

Kështu, pas manipulimeve të hapura në zgjedhjen e delegatëve dhe ndërzimit te SPAKU-t të partisë nëpërmjet gjethes së tyre të fikut Erion Veliaj, linçimit nëpërmjet mediave të narkoqeverisë, kërcënimit me mesazhe për ‘60 plumba në kokë’ në rast se nuk largohet nga detyra, këta mafiozë të rrezikshëm urdhëruan dje paradite dërgimin e banditëve tatimorë në bizneset e presidentit të FSHF me qëllimin e vetëm për t’i imponuar dorëheqjen. Mbrëmë vonë, pasi dështoi me të gjitha këto veprime të shëmtuara e primitive për ta detyruar Armand Dukën të jepte dorëheqjen, Kreu i Meduzës kaloi në një akt të mirëfilltë terrorist, urdhëroi vendosjen në darkë të tritolit në banesën e tij.

Për vendosjen e tritolit nga klani mafioz Edvin-Olsi Rama (për llogari të tij) në shtëpinë e Armand Dukës dëshmon deklarata e të keqpërdorurit të tyre Erion Veliaj, i cili fill pas lajmit për vendosjen e tritolit duket se zbuloi edhe dorësin e krimit duke thënë se Armand Duka ka pasur probleme me bandat e Shijakut.

Kjo do të thotë se detyra për vendosjen e tritolit i ishte besuar njërës prej këtyre bandave dhe sot apo ditët në vazhdim do kemi dalëzotësin, i cili publikisht do marrë përsipër aktin terrorist kundër Armand Dukës, natyrisht jo për qëllime elektorale, por për sherre personale.

Këto akte kriminale me të cilat vota e lirë zëvendësohet me manipulim te hapur, fushatë të hapur mediatike linçimi, 60 plumba në zarf (në SMS), falanga narkotaksidarësh në biznese dhe së fundi tritol te dera e shtëpisë së presidentit të FSHF, të denja për republikën moniste të Old Major-it të George Orwell-it, por po ndodhin 72 vite pas vdekjes së autorit, në Shqiperi, republikën e Old Major-it të George Soros-it apo narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Duke dënuar këtë akt të shëmtuar të terrorizmit shtetëror të klanit Edvin dhe Olsi Rama, u bëj thirrje UEFA-s dhe FIFA-s të ndërhyjnë me urgjencë për të shpëtuar Federatën Shqiptare të Futbollit nga ky klan mafioz që kërkon të shndërrojë këtë federatë në megalavatriçe të kontejnerëve me euro të trafikut të kokainës që ai kontrollon.

U bëj thirrje këtyre organizatave të respektuara të kërkojnë hetim ndërkombëtar për aktin e terrorizmit shtetëror ndaj presidentit të FSHF dhe aktet e tjera të narkoqeverisë shqiptare për pushtimin e FSHF dhe vendosjen e monizmit absolut në Shqipëri.