Gjekmarkaj me dy fytyra/ Berisha publikon VIDEON: Gjykojeni vetë!

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, publikoi një video ku bëhet krahasimi mes asaj që thoshte para pak vitesh Agron Gjekmarkaj për Lulzim Bashën me atë që thotë tani.

“Dëgjojeni dhe vlerësojeni vetë!” shkruan Berisha.

Në vitin 2017, Gjekmarkaj lëshonte akuza të rënda ndaj Bashës. “PD nuk ka qenë kurrë kështu. Pas kësaj katastrofe, Basha ka vetëm një synim, karrierën dhe karrigen e tij. Unë mendoj se nëse Basha vazhdon duke u kapur pas karriges dhe të bëjë çmos për ta ruajtur atë, do ta parcelizojë, do e ndajë dhe në fund do ta katandisë PD-në në një parti të vogël, banale dhe familjare,” shprehej ai.

Por në një takim në Laç dje, ai kalonte në ekstazë me servilizmin e tij, duke habitur edhe mediat sociale.

“Më 8 janar unë kam parë se Lulzim Basha është një burrë që nuk i dridhet qerpiku, që nuk ka frikë, që është i gatshëm në vetë të parë që të përballet me rrezikun, është i gatshëm t’i dalë për zot PD-së, është i gatshëm të përballet me Edi Ramën dhe të jetë nesër kryeministër i Shqipërisë,” tha Gjekmarkaj.