Zgjedhjet e pjesshme, Nishani: Pushteti lokal ka degraduar, do sjellim model të ri qeverisje

Ish-presidenti Bujar Nishani, në një intervistë me Skype në emisionin Ora 19:00 në Syri Tv, komentoi zgjedhjet e pjesshme lokale.

Nishani theksoi se pushteti lokal ka degraduar, duke shtuar se do ketë një model të ri të qeverisjes nga kandidatë që do zgjidhen nga primaret.

“Ne kemi pak kohë për përgatitje për zgjedhjet e 6 marsit. Duke qenë se kandidatët tanë do jenë të zgjedhur nga primaret në bazë, ata do kenë mbështetje popullore dhe urojmë e besojmë do të fitojmë. Do sjellim model tjetër të qeverisjes. Do të kemi një shtëpi të madhe të lirisë, ku do përfshihen vullnete dhe të vendosim dinjitete.

Ne rikthehemi nga një situatë e vështirë e do jemi shumë të fortë. Shqipëria është në udhëkryq të madh, pushteti lokal ka degraduar. Po vihet në pikëpyetje sistemi politik e pluralizmi në vend. Shqipëria është në situatë anormale, gjithë sistemi politik është i kapur. Ne do regjistrohemi si koalicion opozitar, logon e emërtimin do ta diskutojmë. Ne do kthejmë dinjitetin dhe të vërtetën”, deklaroi Nishani.