Vrasja e Eglantina Bucit, dëshmia rrëqethëse e motrës: Babai na rrihte me kabllo elektrik

Baba e bir, Faik e Shkëlzen Buci me origjinë nga Dibra të akuzuar për vrasjen e përkatësisht vajzës e motrës së tyre Eglantina Buci, rrezikojnë dënimin në total prej 50 vjet burg.

Prokurori i ka dhënë fund hetimit të kësaj ngjarjeje dhe ka kërkuar nga gjykata që të dënohen dy të akuzuarit.

Eshtrat e Eglantinës u gjetën nga një gjuetar në datën 13 shtator 2012, por sipas ekspertëve vrasja kishte ndodhur 1-2 vite më parë. 

Vrasja e 23-vjeçares nuk do te ishte zbardhur nëse një person që kishte qenë në dijeni të ngjarjes nuk do të kishte treguar 10 vite më pas.

Ai  ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa dëshmia e tij bëri që të rihapen hetimet ndaj autorëve, të cilët ishin vëllai dhe babai i viktimës.

Zbardhjen e ngjarjes e ka ndihmuar edhe motra e viktimës Elona Tufa, e cila në  një seancë, e cila ka zgjatur mbi një orë në Gjykatën e Tiranës,  ka  rrëfyer tmerrin e torturave që kryeshin nga babai ndaj dy motrave.

“Jemi rrahur me kabllo të dritave nga babai, prandaj jemi detyruar që të largohemi nga shtëpia. Rriheshim me kabllot e dritave, pse hanin fëmijët karamele. Rriheshim në mënyrë barbare.

E kam baba dhe është sjellë me ne në këtë mënyrë, deri në ditën që kam ikur nga shtëpia. Pastaj mami ka ikur edhe ajo nga shtëpia, se lahej në gjak për çdo ditë”, ka thënë ajo.

Faik Buci dhe Shkëlzen Buci vranë Eglantinën, pasi kjo e fundit kishte vendosur të jetonte me një djalë, për të cilin ata nuk jepnin aprovimin e tyre.

Faik Buci urdhëroi djalin e tij të vriste të motrën. Shkëlzen Buci, me urdhër të babait ekzekutoi në malin e Dajtit Eglantinën dhe më pas e fshehu trupin në vendin e ekzekutimit.