VIDEO-SYRI TV/ Dita pas ‘luftës’ tek ‘5 Maji’, banorët: Kemi kaluar natën jashtë

Një ditë pas shembjeve në zonën e ‘5 majit’, banorët vijojnë të qendrojnë në shtëpitë e shkatërruara, të cilat janë kthyer në gërmadhë. 78-vjeçarja Liza Marku, tregon se bashkë më familjen e kanë kaluar natën jashtë. Nga ana tjetër, edhe pas shembjes së disa shtëpive, banorët vijojnë të protestojnë.

Nga SYRI TV

Kujtimet janë e vetmja gjë që kanë marrë nga shtëpitë e tyre, banorët e ‘5 majit’. Një ditë pas shembjeve, ata vijojnë të qëndrojnë në banesat e shkatërruara, edhe pse gjithçka ka mbetur janë vetëm gërmadhat dhe gjurmët e fadromave, që në mënyrë të pamëshirshme, shembën mundin dhe djersën e tyre shumëvjeçare të hedhur në një strehë për të jetuar.

Liza Marku, 78-vjeçarja simbol i qëndresës dhe vendosmërisë për të mbrojtur deri në fund pronën e saj, e cila u tërhoq me forcë nga policia, pohon se natën e ka kaluar jashtë, në kushte të vështira.

Edhe të bijtë dhe të afërm të së moshuarës, tregojnë se nuk kanë alternativë tjetër strehimi, por pavarësisht kësaj asgjë nuk i bind të firmosin aktmarrëveshjen me bashkinë, që e konsiderojnë të jashtëligjshme dhe kundër interesave të qytetarëve.

Edhe pse një ditë më parë disa objekte u shembën, banorët sërish vijojnë rezistencën. Me shpresën për të mbrojtur shtëpitë e tjera nga shembja, ata kanë protestuar edhe këtë të enjte, në oborrin e njërës prej shtëpive që u shemb, duke vijuar me kërkesën për të pasur një komunikim me Bashkinë, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët dhe në të mirë të të dyja palëve.