Rama flet për 'vëllazërinë' me Erdoganin: Ja pse jemi miq, i ngjaj atij...

Nga Laçi, ku pritet presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të dorëzojë çelësat e shtëpive për banorët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeministri Edi Rama vlerësoi presidentin turk dhe e cilësoi atë një mik të madh të Shqipërisë dhe të tij.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë solli në vëmendje edhe takimin e parë me të.

“Kjo është një ditë e veçantë. Dua të flas shkurt se sot të gjithë duan të dëgjojnë mikun e madh të Shqipërisë. Nga takimi i parë me presidentin, që atë kohë ishte kryeministër i Turqisë, isha i ndrojtur se e njihja nga televizori dhe nuk dukej aq i buzëqeshur, dhe kur u takuam dhe ishim ulur përballë më shikonte, por nuk buzëqeshte dhe unë akoma nuk isha bërë kryeministër dhe më tha: Shqipëria dhe Kosova janë janë në zemrën time. Shqiptarët janë në zemër të popullit turk. Unë dëshiroj që ti të jesh vëllai im, por unë do të them vëlla atëherë kur ti si kryeministër i vendit tënd të meritosh respektin e popullit tënd. Unë jam shumë krenar që mund ta quaj veten mik i presidentit Erdogan”.

Kreu i qeverisë reagoi edhe ndaj atyre që janë skeptikë për miqësinë e tij me presidentin turk. Sipas Ramës, Erdogan thotë atë që bën dhe bën atë që thotë.

“E kam frikë këtë që nuk di si m'i kthen fjalët në turqisht, por nuk kam rrugë tjetër se unë turqisht jam në moshë shumë të thyer për ta mësuar tani, por sot do të them edhe këtë që u bënë vite që kam privilegjin të jem në këtë detyrë dhe i kam takuar thuajse të gjithë burrat e mëdhenj të shteteve. Është e vërtetë që shpesh janë kuriozë se ç’është kjo miqësi e ngushtë me presidentin e Turqisë dhe priren ta shohin si çështje konspiracioni; jo Turqia neo-otomane, jo xhami, jo aspiratat e presidentit, etj. Përgjigjja ime është e thjeshtë; se presidenti Erdogan thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Dhe më besoni që nuk është e lehtë në botën dhe diplomacinë e sotme që të gjesh njerëz që PO-në e kanë PO dhe JO-në JO. Këtu është materializimi i të gjithë fjalëve të bukura. Këtu mund të shikohet se çfarë do thotë kur Erdogan thotë që Shqipërinë e kam në zemër dhe çfarë i dhemb Shqipërisë më dhemb dhe mua. Ataturk thotë: Njerëzimi është një trup i vetëm dhe çdo komb është pjesë e atij trupi. Këtë frymë Erdogan e ka rrënjësor thellë në shpirtin e Turqisë, në qasjen e Turqisë në mënyrën si Turqia shikon botën dhe miqtë”.

Në fund, Rama e pranoi se i ngjan Erdoganit.

"Premtova që do flas shkurt, por në këtë pikë siç thonë dhe kritikët e mi, unë i ngjaj atij. Do ta mbyll duke sjellë dhe një episod tjetër. Kur kishte filluar puna me mikun tonë, Ministrin e ngarkuar për këtë Rindërtim, Muratin, në Turqi ra një tërmet. Të gjithë këtu u alarmuan se thanë i ra tërmeti në shtëpinë e tij dhe do harrojë procesin këtu. Unë i thashë i bindur që kjo nuk do të ndodhë. Jo vetëm sepse Turqia i ka mundësi që njëkohësisht t’i bëjë të dyja, por dhe nëse nuk do i kishte mundësitë, Presidenti Erdogan nuk do e linte punën që të mbante fjalën këtu. Sepse e përsëris, Presidenti Erdogan, jo vetëm e thotë, e mendon dhe e beson por e bën në realitet atë që solla këtu pak më parë si një nga porositë e profetit".