Zyrtare/ Surprizon Mehmedi, futbollisti 30 vjeçar i bashkohet skuadrës turke

Futbollisti me origjinë shqiptare, Admir Mehmedi i ka dhënë fund aventurës më skuadrën e Volfsburg në Gjermani, teksa do ta vijojë karrierën në Turqi te skuadra e Antaliasporit, që drejtohet nga ish-mesfushori i Real Madridit dhe Borusia Dortmundit, Nuri Shahin.

Lajmi u bë publik nga klubi i Superligës turke përmes një postimi në faqen zyrtare, teksa 30-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri në qershor të vitit 2024.

Shqiptari i cili luan për përfaqësuesen e Zvicrës, së fundmi ishte pjesë e Volfsburgut, teksa në të kaluar është aktivizuar edhe me Bajer Leverkusenin dhe Frajburgun.

Për sa i përket Antaliasporit, skuadra turke, ndodhet në pozita të vështira këtë sezon, teksa ka si objektiv mbijetesën. Aktualisht ekipi i ri i Mehmedit, renditet në vendin e 15-të me 22 pikë, vetëm 4 larg vendit të 17-të që të dërgon një kategori më poshtë.