Rinis Kategoria Superiore, spikat dueli mes Tiranës dhe Vllaznisë

Kategoria Superiore rinis ditën e sotme dhe pritet të jetë mjaft e zjarrtë, pasi në javën e 16-të luhen dy ndeshje mjaft të forta.

Në orën 16:45, në Korçë, do të luhet sfida mes Skënderbeut dhe Laçit. Korçarët do të tentojnë ta nisin vitin ashtu siç mbyllën atë të shkuarin. Mirëpo, bardhekuqtë nuk do ta kena aspak të lehtë pasi përballë kanë një Laç që vjen në këtë takim pas pesë fitoreve radhazi dhe renditen të tretët me 27 pikë.

Sigurisht, vëmendja më e madhe do të jetë te derbi i Shqipërisë mes Tiranës dhe Vllaznisë që do të luhet në “Air Albania”,  në orën 19:45.

Një sfidë për të mos u humbur, pasi të dyja skuadrat vijnë si pretendente për titullin kampion në Shqipëri.

Tirana vjen si favorite për momentin teksa të besuarit e trajnerit Orges Shehi kryesojnë në kampionat me 33 pikë, ndërsa shkodranët janë më të shkëputur duke qenë se renditen në vendin e katërt me 25 pikë.

Sa i përket organikës, Tirana do të vuajë mungesën e Michael Ngoo me sulmuesin britanik që iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale në gju pas dëmtimit në derbi me Partizanin. Ndërkohë, kryeqytetasit, ndryshe nga si e mbyllën vitin kanë tashmë të rikuperuar Seferin, Ismajlgecin dhe Najdovskin, ndërsa është shtuar nga merkato edhe sulmuesi Devid De Silva, por braziliani ende nuk është federuar.

Nga ana tjetër, edhe shkodranët kanë një prurje të re pasi kanë firmosur me mesfushorin Mickael Panos, teksa sa i përket ndeshjes së sotme, trajneri Thomas Brdaric do ta ketë të plotë organikën. Sa i takon ndeshjes së fazës së parë në Loro Boriçi, Tirana ia doli të fitonte me rezultatin 0-2 falë golave të Xhixhës dhe Seferit.