Transferimi te Lille, flet Zhegrova: Është një ditë e madhe, ndihem i lumtur dhe krenar

Ditën e sotme, Edon Zhegrova hodhi hapin e madh në karrierë, duke firmosur për skaudrën e Lille në Francë. Talenti i përfaqësuese së Kosovës u transferua nga Basel te kampionët në fuqi të Ligue 1 për shumën e 7 milionë eurove ndërsa firmosi një kontratë e cila do ta mbajë të lidhur me Lille për 5 sezone.

Pas firmës në kontratë, Zhegrova ka folur për kanalin zyrtar të Lille, ku u shpreh se për të është një ditë e madhe dhe ndihet i lumtur dhe krenar.

”Sot ndihem i lumtur dhe krenar. Është një ditë e madhe për mua, një hap i madh në karrierën time, në një kampionat të madh, në një klub me lojtarë të mëdhenj me të cilët do të mund të përparoj.

Doja shumë të vija këtu dhe kjo ndodhi, ndaj jam shumë i lumtur. Tani do të bëj më të mirën për Lille,” u shpreh Zhegrova.