Belind Këlliçi: Po përgatitemi për zgjedhjet vendore, kandidatë në çdo bashki

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka deklaruar se Komisioni i Rithemelimit me në krye liderin historik Sali Berisha, do të vijojnë turin e takimeve me qytetarët në 12 qarqet e vendit. 

Duke folur në ABC për aksionin e ardhshëm të demokratëve për të larguar Lulzim Bashën nga selia e PD, pas vendimit të Kuvendit të 11 dhjetorit dhe Referendumit të 18 dhjetorit që e shkarkoi atë, Këlliçi tha se vijojnë përgatitjet. 

“Mbetet i paqartë organizimi i protestës tjetër sepse duhet të marrim masa për t’u përballur me Edi Ramën. Zoti Berisha në Shkodër rinis turin e takimeve në 12 qarqet”, u shpreh Këlliçi.

Këlliçi u shpreh se të hënën do të jetë në Kuvend, ndërsa shtoi se Basha ka më pak deputetë se në vitin 2017. Thirrja e tij ishte për ligjvënësit e PD që të bashkohen me demokratët dhe të mos i japin oksigjen Ramës.

“Kam dy festa për të qenë në festat e themelimit të PD, por besoj se do jem në parlament. Belindi është i votëbesuar për të qenë përballë Edi Ramë. Për momentin zoti Basha ka më pak deputetë se në vitin 2017 kur mori rezultatin më të ulët historik. U bëj apel kolegëve të mi të vijojnë betejën e tyre politike përballë Edi Ramës. Të mos jenë pjesë e një fasade që i jep oksigjen Edi Ramës. Ne luftën e kemi me Edi Ramën”, nënvizoi ai.

Nga ana tjetër, ai shtoi se PD e rithemeluar do të përgatitet për të pasur kandidatë në çdo bashki në zgjedhjet lokale të pjesshme. 

“Të jeni të bindur. PD e rithemeluar do përgatitet për të pasur kandidatë në çdo bashki”, përmbylli Këlliçi.

Ndalur te akuzat për ndërtimin e një kulle në vendin ku sot ndodhet selia e PD, deputeti theksoi se vetëm për projektin janë shpenzuar 1.4 milionë euro, ndërsa shtoi se uron që të mos jetë i vërtetë.  

Çështja e kullave është që unë e kam parë përmes mediave, Nuk i besoj teoritë konspirative. Janë hedhur 1.4 mln euro për projektin e kullave në PD. Uroj të mos jetë i vërtetë nga ky projekt. Kam dëgjuar nga fraksioni i vulës që është i përfshirë Berisha. U bëj thirrje nëse kanë edhe një fakt ta bëjnë publike. Ky projekt tenton ta kthejë opozitën në kullë”, tha ai.