Niveli banal i deputetit Basha!

Lulzim Basha nuk habit më askënd. Ai është i gatshëm që për interesat e tij personale të futet dhe në pazaret më të pabesueshme, jo vetëm për një politikan por edhe për një individ. Dalja ditët e fundit e skandalit të kullave që do ndërtohen në oborrin e SHQUP ku gjendet sot godina e Partisë Demokratike e vërteton më së miri atë që thamë më lart. 

Termi skandal në fakt i adresohet vetëm Lulzim Bashës, pasi pronarët janë në të drejtën e tyre që ta zhvillojnë pronën. Kushdo që të ishte ashtu do të vepronte, madje janë treguar tepër të duruar. Nga ana tjetër në vetvete ajo si godinë, model sovjetik, nuk është se ka ndonjë vlerë kulturore apo trashëgimi për qytetin që të mobilizojë mbrojtësit e trashëgimisë kulturore. Përveç të qenit në një zonë të lakmuar ku çmimi për metër katror është stratosferik deri në 3 mijë euro për metër, Tiranës as nuk i shton dhe as nuk i heq gjë plan arkitekturor.  

Por vlera e saj simbolike është mjaft e madhe. Aty është vendosur të jetë selia e Partisë Demokratike. Partisë së parë opozitare në vend, e cila solli përmbysjen e diktaturës. Pra, duhet të ishte selia ku të gatuheshin aksionet opozitare, strategjitë për përmbysjen e regjimit. Oborri i saj duhet të ishte vendi ku të festonin demokratët si shpërblim për mundin e tyre në fushatë. Gjë e cila nuk ndodhi asnjëherë në tetë vjet.  

Në kushte të tjera, pasi po flasim për 4 apo pesë vjet të shkuara, nxjerrja në mënyrë arbitrare e partisë më të madhe opozitare do i hapte jo pak andralla qeverisë apo Bashkisë së Tiranës. Do duheshin të përballeshin jo vetëm me protestat e demokratëve (që natyrisht do besonin qaravitjet e Bashës) por edhe me diskreditimin në sytë e medieve të huaja dhe institucioneve ndërkombëtare.

Të nxjerrësh në rrugë opozitën për të ndërtuar kulla nuk mund ta justifikosh në emër të zhvillimit siç justifikoheshin fjala vjen nxjerrja nga banesat të qytetarëve në Unazën e Re. Gafa që u bë me shembjen dhe reaksioni që shpërtheu me shembjen e Teatrit Kombëtar do ishte hiçmosgjë përpara furtunës që mund të shkaktonte nxjerrja nga selia e PD-së. 

Në këto kushte miratimi nga ana e Lulzim Bashës ishte një domosdoshmëri, dhe ashtu duket se ka ndodhur. Afërmendsh ndërtuesit e katër kullave atje nuk kanë se si harxhojnë 1.4 milionë euro për projektin, pa u marrë vesh më parë me kryetarin e partisë. Dhe kur vjen puna për pazare me Bashën dhe sekserët e tij është thjeshtë çështje çmimi. 

Duket qartë se Lulzim Basha paska pasur tjetër agjendë dhe këtë e nxori zbuluar protesta e tetë janarit, këmbëngulja e tij për të mos lëshuar vulën e partisë, s'ka dhe s'ka pasur si qëllim të jetë në shërbim të demokratëve. Ajo vulë është pjesa më e rëndësishme e këtij pazari, dhe prandaj refuzon zgjedhjet. Humbja e saj do të thotë dhe shkarkimi i Bashës si administrator i selisë.  

Në një kohë që demokratët luftonin me të gjitha forcat që ta bënin kryeministër, ai mendonte si të shtonte të ardhurat e tij, dhe si ta shndërronte forcën më të madhe opozitare në shtojcë të bizneseve familjare që ai ka ngritur. Këto tashmë nuk janë vetëm legjenda që pëshpëriteshin në kafen tek oborri i selisë.  

Për një lider normal rënia në pozita të tilla do ishte një nivel i skajshëm banaliteti. Por këtu po flasim për politikanë normalë e dinjitozë. Për ata që humbja e forcës së tyre politike në zgjedhje dhemb dhe që japin dorëheqjen që në sprovën e parë. Për Lulzim Bashën humbja është kthyer në normalitet, disfata në rutinën e tij të përditshme. Sa herë ka folur për vija të kuqe që Rama i ka shkelur që të nesërmen. Sa herë ka folur për beteja që kanë përfunduar ende pa nisur?  

Lulzim Basha nuk i hyn më në punë askujt aq më pak opozitës. Madje në pozitat aktuale nuk i hyn më në punë as Edi Ramës. E kush do e donte një humbës të tillë pa përkrahje! Është çështje kohe kur dhe Rama ta flakë tutje si një limon të shtrydhur... 

Kjo sepse Basha ka kaluar në një nivel të tillë degradimi, sa nuk mund ta mbrojë dot më asgjë e askush. Kjo vihet re dhe në reduktimin e ndjeshëm të besnikëve të tij në media. Dalja e Gazment Bardhit në Opinion u shoqërua me një kosto të madhe pabesueshmërie jo vetëm për sekretarin e tij, por dhe për vetë Bashën. Bardhi arrinte të dallonte vetëm demokratët që kishin dalë kundër Bashës, por jo detashmentin kriminal që ai kishte thirrur nën armë për të goditur ata që dikur ishin mbështetësit e tij.  

Shpejtësia që po e çon drejt defaktorizimit të plotë është e pabesueshme. Andrallat i shtohen dhe më shumë kur Presidenti ka dhënë shenja se do dekretojë së shpejti zgjedhjet e pjesshme lokale. Basha i izoluar s’mund të bëjë asnjë ditë fushatë në bazë, s'ka më kujt t'i drejtohet.

Do ishte fitore për të në rast se ata që rrahu dhe helmoi më datë 8 janar nuk do i vënë drunë po të guxojë t'u shkelë në shtëpi. Askush dhe asnjë mos habitet që në këto zgjedhje ai të marrë sa partia e Kujtim Gjuzit. Demokratët mund t'i falin shumë gjëra, por asesi mashtrimin, shpërdorimin e besimit dhe dhunën që i erdhi nga ai që i premtoi parajsën por u shiti dhe shtëpinë dhe i la jashtë.