‘Reformë për vete jo për njerëzit’/ Kreu i Avokatëve: Reforma në drejtësi ka dështuar

Në qytetin e Vlorës po zhvillohet një tryezë e përbashkët mes Dhomës së Avokatisë së qytetit, KLGJ-së, Ministrisë së Drejtësisë, si dhe përfaqësuesve nga Gjykata dhe Prokuroria, ku është diskutuar në lidhje me hartën e re gjyqësore.

Përfaqësuesit nga radhët e avokatëve e kanë shprehur qartë qëndrimin kundër hartës së re gjyqësore, që sipas tyre e largon qytetarin nga institucionet e drejtësisë.

Ermal Ahmataj kryetar i dhomës së Avokatisë në Fier është shprehur në tryezë: Keni menduar për veten, por jo për qytetarët. Kjo hartë është absurde. Largon drejtësinë nga qytetarët. Një gjyq vonon 5 vjet..qytetarët nuk do i drejtohen më drejtësisë.

Ndërkohë që i ashpër me qëndrimin e tij ka qenë edhe avokati Maks Haxhia, i cili tha se ka besim që harta do të ndryshohet.

Maks Haxhia: Reforma në drejtësi ishte e pastudiuar, dështoi. Nuk mund të bëhet reformë tjetër (hartë gjyqësore) për të zgjidhur kolapsin e të parës.

Praktika ka dështuar. Gjykata e apelit ishte dështim, korrupsioni ka nisur në atë gjykatë. Apeli ka ende çështje të 2015 pa zgjidhur.

Shqipëria nuk është Tirana, nuk mund të ketë gjykatë vetëm në Tiranë. Po masakroni drejtësinë.