Kullat në selinë e PD, Goci: Pushteti i Ramës ka kapur edhe opozitën, Shqipëria në emergjencë ekzistence

Pedagogu i Shkencave të Komunikimit Ervin Goci në një intervistë me moderatoren Armela Ferko në Skype në Edicionin e Pasdites në Syri Tv, ka komentuar kullat në selinë e PD-së dhe situatën në opozitën e vendit.

Goci theksoi se pushteti i Ramës ka kapur gjithçka, madje edhe opozitën.

Ai shtoi se Shqipëria është në emergjencë ekzistence.

“Opozita aktualisht nuk ekziston, marrin vendime në fshehtësi. Në Shqipëri gjithçka është kthyer në kulla dhe gjithë sistemi politik, ekonomik e çdo gjë që është lidhur pikërisht me kullat, është kapur nga pushteti deri edhe opozita. Rezistenca politike nuk ekziston. Po merren porte dhe jo vetëm teatro, Shqipëria është në emergjencë ekzistence. Pasuria jonë është kthyer në PPP ose në koncesione.

Policia e Shtetit patjetër hyn kur ka dhunë, por duhet të dijë se ka hyrë në një subjekt politik, njolla mbetet, u shkel në një hapësirë që duhet të ishte e lirë, e pashkelshme. Me siguri që Policia sot nuk ka festuar pavarësinë e vet. Policia sidomos në 30 vitet e fundit ka njolla të tmerrshme në CV e vet. Sot në opozitë duhet që të bëhet debat, por se ka hendek të madh mes lidershipit dhe bazës. Janë mbi 620 mijë qytetarë që kanë votuar opozitën dhe ata që janë në lidershipin e PD nuk mbajnë përgjegjësi. Përjashtimet e Bashës të shumë njerëzve nga PD për mua është tjetër hirakiri dhe nxit tensionin. Mendoj se kjo përplasje, siç po shkojnë gjërat, do të vazhdojë”, deklaroi Goci.