Grupet hebreje kritikojnë ashpër kongresmenin për krahasimin e politikave anti-Covid me Holokaustin

Organizatat, liderët dhe ligjbërësit hebre kritikuan të mërkurën kongresmenin Warren Davidson për përdorimin e imazheve të Holokaustit në përgjigje të kërkesës për certifikatë të re vaksinimi nga restorantet në Washington.

Davidson, Republikan nga Ohio, postoi pamjen e një certifikate shëndetësore nga koha e Gjermanisë naziste në përpjekje për të hequr paralele me kërkesën për një certifikatë të re vaksinimi anti-Covid teksa rastet e infektimeve janë rritur në gjithë vendin.

Auschëitz Memorial iu përgjigj direkt Davidsonit, duke thënë se ‘shfrytëzimi i tragjedisë së gjithë popujve që më 1933-45 vuajtën, u poshtëruan, torturuan e vranë nga regjimi totalitar i Gjermanisë naziste në një debat për vaksinat dhe kufizimet (anti-Covid) në kohë pandemie globale është një simptomë e trishtuar e kalbëzimit moral dhe intelektual’.

Shefi ekzekutiv i Lidhjes Anti Shpifje Jonathan Greenblatt i quajti postimet e Davidson në Twitter si ‘të marra e të rrezikshme’, dhe i përshkroi si një formë shpërfytyrimi të Holokaustit. ‘Mos krahasoni gjenocidin sistematik dhe dehumanizmin brutal të gjashtë milionë hebrenjve nga ana e nazistëve me kërkesën për të paraqitur një kartë vaksinimi’, shtoi Greenblatt. ‘Është e gabuar dhe duhet të marrë fund’.

Kongresmenë të ndryshëm Demokratë kritikuan pikëpamjet e Davidson, ndërkohë që Adam Kinzinger është i vetmi Republikan deri tani që e ka kritikuar publikisht, duke thënë se ‘çdo lider Republikan duhet t’i dënojë këto lloj gjepurash tani’.