Burg përjetë për kolonelin nga Siria/ Gjermania merr vendimin e rrallë

Një gjykatë në Gjermani ka dënuar një kolonel sirian me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit.

Ky vendim është i rrallë në llojin e tij, shkruan BBC.

Anwar Raslan, 58 vjeç, akuzohet për torturimin e të paktën 4 mijë personave në një burg civil sirian, të njohur si ‘Ferri në tokë’.

Raslan ishte një nga oficerët e lartë të shërbimit sekret të presidentit Bashar Al-Assad kur shpërthyen protestat e dhunshme antiqeveritare në vitin 2011.

Shumë nga protestuesit u arrestuan dhe u dërguan në kampin famëkeq, të drejtuar nga Raslan.

Ai akuzohet për 58 vrasje si dhe për përdhunime dhe dhunë seksuale.

Raslan u arestua në Gjermani në vitin 2019, pasi kishte kërkuar azil në këtë vend. Ai mohoi të gjitha akuzat.

Në gjyq dëshmuan edhe sirianë që jetojnë dhe punojnë në Gjermani. Kujtojmë se aktualisht në Gjermani janë vendosur mbi 800 mijë sirianë.