'Vendimi' i Qeverisë Kurti nuk ia lë 'shenjë' gastronomëve, sakaton qytetarët

Një ndryshim ka hyrë në fuqi nga 1 janari në Kosovë. Bëhet fjalë për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar e cila sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ishte 8 për qind.

Megjithatë ky afat i paraparë me këtë ligj tashmë ka kaluar dhe TVSH-ja është rikthyer në 18 për qind, shkruan Syri.net Kosova

Ky ndryshim ka ngjallur reagimin e gastronomëve kosovarë.

Ata paralajmëruan se rikthimi i tatimit nga 8 në 18 për qind do të ndikojë në rritjen e çmimeve të pijeve dhe ushqimeve në lokale.

E kjo gjë, ndodhi. Syri.net Kosova në një vizitë në disa prej lokaleve të gastronomisë, ka vërejtur se çmimet veçse kanë filluar të rriten. Rritja vërehet më shumë në menynë e ushqimit. Disa prej produkteve kanë shënuar rritje deri në 2 euro.

Në një bisedë, njëri nga menaxherët e një lokali në Prishtinë, në kushte anonimiteti për Syri.net Kosova deklaron se kjo rritje ka ardhur shkaku i ndryshimit të TVSH-së.

Kjo ngritje e çmimeve, ka alarmuar edhe kreun e organizatës Konsumatori, Selatin Kaçanikun.

Kaçaniku për Syri.net Kosova, deklaron se e  gjithë kjo zhurmë, e recikluar shumë herë më parë dëshmon shumëçka, qëllime jo të mira dhe jo të ndershme.

"Dëshmon për dyshimin  tonë, se kurrë disa HORECA - gastronomë nuk e kanë ndarë, kolektuar e paguar TVSH-në tonë në Arkën e Shtetit. Vazhdimisht dhe aq gjatë sa që ata janë të bindur se TVSH-ja qenka obligim fiskal i tyre dhe po ju vështirësuaka afarizmin ?!" deklaron ai

Ai deklarons e ngjajshëm pati vepruar edhe Qeveria pararendëse para 4-5 vitesh kur e uli ose hoqi TVSH-në nga disa prodhime, artikuj ushqimor të shportës, me qëllim që ato prodhime të lirohen, të shkarkohet shporta esenciale e qytetarit dhe e familjes konsumatore - e që rreth 30% e tyre jetonte në varfëri të skajshme, tanimë të faliementuar.

Në këtë rast, sipas tij me “sponzorizimin” e Qeverisë uljen e TVSH-së, dedikuar qytetarit dhe familjes konsumatore e  grabitën për vehte prodhuesit dhe tregtarët dhe askush nuk reagoi.

Kaçaniku thotë se e njejta po ndodh edhe tash,  pas ngritjeve enorme të çmimeve, të njëjtit, mbi TVSH-në e abuzuar po ngrisin çmime të reja, ndërsa qeveria po hesht.

Kreu i konsumatorëve shton se gastronomët tani po veprojnë njësoj "ngritje çmimesh, varfërim konsumatorësh, mosnjohje të Buxhetit të Shtetit".

"Edhe këto veprime të Qeverisë, të ministrive e dikastereve gjegjëse po na ofendojnë rëndë dhe shkelin mbi dinjitetin tonë - anise si qytetarë dhe familje konsumatore jemi sensi dhe faktori i zhvillimit ekonomik, i tregut, i bizneseve, edhe të HORECA-gastronomëve.

Natyrisht se as Arka e Shtetit nuk mundet pa ne. Prandaj ky Buxhet quhet Buxhet konsumues, sepse asnjë Qeveri deri më sot, përkundër premtimeve dhe mandatit, nuk mundi të bëj Buxhet performues.Pra, shumë e qartë se, pa qytetarin dhe familjen konsumatore si dhe pa remitencat e gurbetit dhe diasporës…nuk do të kishim Buxhet ?!Së këndejmi rekomandoj kujdes. Kujdes ndaj qytetarit dhe familjes konsumatore.Mos e eksploatoni !" deklaron ai.

 

Për ekonomistin, Jakup Bellaqa, me këtë situatë duhet të merren organet kompetente, pasi gjendja financiare e konsumatorit kosovar, nuk është e mirë

"Janë organet kompetente që duhet të  merren ne këtë rast, inspektoret e Administrates Tatimore te Kosovës, duhet të dalin në teren dhe ta inspektojnë gjendjen duke bërë inspektime te dokumentacionit, dhe duke verifikuar se sa janë duke i kryer obligimet  tatimore ndaj shtetit, dhe të dal pastaj me nje vendim se pse e ka marrur ketë vendim.

Ai për Syri.net Kosova deklaron se pasi ka pasur ngritje re çmimeve, bizneset nuk duhet të ankohen.

Kjo pasi, sipas tij, krijohet ekuilibrim sepse ne te dy krahët në ketë aspektë ka ngritje, por duhet të ceketë se  është edhe ligji që nga viti 2018 Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, që konsumatorët duhet ti shfrytzojnë të drejtat ligjerishtë.

Syri.net Kosova, lidhur me këtë çështje ka pyetur edhe Inspektoriatin e Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, por e njëta nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi

Ndryshe, ditë më parë  Ministri i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati ka folur edhe në lidhje me çështjen e TVSH-së në sektorin e gastronomisë, e cila në bazë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomikë ishte reduktuar në 8 për qind.

Murati ka thënë se ky reduktim ka rezultuar me rritjen e fitimit të bizneseve, që sipas tij në krahasim me vitin e kaluar ka dyfishuar qarkullimin.

I pyetur për reagimet e sektorit të gastronomisë, Murati tha se nuk u është premtuar asnjëherë se TVSH-ja do të vazhdojë të jetë 8 për qind.

“Nuk do të thoja që ka përplasje, mund të ketë akuza. Megjithatë ne si Qeveri dhe Ministri duhet t;i konsiderojmë të gjitha sektorët e bizneseve dhe të ju ndihmojmë. Sa i përket sektorit të Gastronomisë në lidhje me TVSH-në, ne kemi pasur një takim, mirëpo nuk u është premtu asnjëherë. Në fakt është e kundërta, unë kur kam qenë kryetar i Komisionit për buxhet në mandatin e kaluar kam thënë që zbritja e TVSH-së në atë formë nuk është mënyra e duhur sepse nuk do të rezultonte me zbritje të çmimeve, e që zbritja e çmimeve pastaj të rezultonte në konsum të shtuar. Pra, kur është zbrit TVSH-ja nuk kemi pasur zbritje të çmimeve”, tha Murati.
 
Deklarimi i Muratit erdhi, pas akuzave nga Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve Petrit Kllokoqi.
 
Ai pas vendimit për TVSH-në, kishte shpërthyer në kritika ndaj ministrit Murati.

Përmes një postimi në Facebook, ai e ka quajtur ministrin Murati “rrenc”, pasi sipas tij, ky i fundit u ka premtuar se do ta lë TVSH-në në 8% deri sa të egzistojë pandemia.

“More RRENC, në tavolinë më ke premtu mu e atyre që ishin me mua që Tvsh-në ki me vazhdu në 8% sa të egziston pandemia. Jo që nuk na ndihmuat por edhe po na fundosni. Është hera e parë që një politikan me rren në sy, më falni për shprehjen RRENC po përnime jom ZHGENJY”, ka shkruar Kllokoqi në Facebook.

Kujtojmë se, në mesin e sektorëve më të prekur nga pandemia Covid-19, ishte edhe gastronomia, pasi e njejta për disa muaj gjatë vitit 2020, ishte totalisht e mbyllur.