Policia kroate tregon kilogramë heroinë dhe kokainë që kapi në dy operacione

Policia kroate tregoi të martën publikisht qindra kilogramë drogë që i kishte sekuestruar në dy operacione të veçanta vitin e kaluar në një port jugor të detit Adriatik, pranë vendpushimit të famshëm të Dubrovnikut.

Zbulimi tetorin e kaluar në portin e Ploce i rreth 220 kilogramëve heroinë në një anije nga Amerika e Jugut ishte më i madhi ndonjëherë në Kroaci, tha policia.

"Kjo është kapja më e madhe e heroinës ndonjëherë në Republikën e Kroacisë," tha shefi i policisë së Dubrovnikut, Drazen Rastovic.

Heroina ishte fshehur në pako metalike të gjetura në kontejnerin e ngarkesave të anijes dhe ishte menduar për t’u shpërndarë në Evropën Perëndimore, thanë ata në një konferencë për shtyp.

Në nëntor, zhytësit gjetën 61 kilogramë kokainë në një enë metalike të lidhur me magnet në fundin e një anijeje tjetër nga Amerika e Jugut.

Policia tha se vlera totale e parashikuar e drogës së sekuestruar ishte 17 milionë euro.