Omicron bën kërdinë/ Mbi 1.3 milionë të infektuar në 24 orët e fundit në SHBA

SHBA ka regjistruar rekord të infektuarish me Covid në 24 orët e fundit, duke regjistruar përkatësisht 1.35 milionë raste të reja.

Sipas të dhënave, ky është numri më i lartë i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë, që i atribuohet kryesisht përhapjes së variantit Omicron.

Mesatarja shtatëditore është trefishuar në dy javë duke tejkaluar 700,000 raste të reja në 24 orë.

Në të njëjtën kohë, SHBA ka regjistruar një rekord të shtruarish në spital për shkak të Covid-19, ku numri i pacientëve të trajtuar është dyfishuar në tre javë.

Më shumë se 136,604 njerëz aktualisht janë të shtruar në spitale, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 132,051 janarin e vitin të kaluar.