Ish-deputetja-Bashës: Faleminderit që nuk na bëre pjesë të turpit të zisë tënde

Ish-deputetja e PD-së Nada Meçorapaj me anë të bnjë statusi në “Facebook” shkruan se falënderon Lulzim Bashën që nuk e ka bërë pjesë të listës së deputetëve.

Meçorapaj thekson se do ishte pjesë e turpit të zisë së saj, në rast se do ishte në atë listë, sepse selia e PD sot është marrë peng.

Postimi i Nada Meçorapajt:

Dje ishim dhe ne, bashkë me qindra demokratë e demokrate! Ishim aty, komisioner, vëzhgues, numërues, anëtar partie e anëtar këshilli kombëtar, qëndrestar e themelues, të rinj e të reja, deputet e ish deputet, dje ishim shumë!

Ishim ne që kemi mbushur sheshet, ne që kemi vite persekutim në familje që sot ripersekutohemi nga familja jonë politike, ne që besojmë dhe duam demokracinë, ne që vendosëm fytyrën, shpirtin, sakrificën, kohën tonë!

Sot si ish deputete e qarkut të Vlorës, të them vetëm “Faleminderit“ që nuk më bëre pjesë të turpit e zisë tënde! Jam po unë: e perkushtuara, e palodhura, besnikja, por sot jam krah anëtarëve të Partisë time, sot jam krah tyre sepse i njoh të gjithë bashkëqytetarët e mi, kam ecur me ta krah për krah në çdo sfidë e garë, kam marrë besimin dhe respektin e tyre!

Dje erdha në derën e shtëpisë time, në selinë e PD-së! Por dje u gjënda në një situatë të vështirë sepse e rrethuar me demokratë e miq u trajtuam si armiq në atë derë të blinduar nga ty! As në protestat kundër Edi Ramës nuk isha ndjerë ashtu!!! Gazi lotsjellës, karriget që hidheshin nga lart, copat e xhamave që binin mbi trupat e demokratëve, shkopinjtë e gomës… Kush të pushtoi dhe kë po sulmoje?!!

Si ish deputete ju bëj një pyetje ish kolegëve të mi. Si ndiheni kur ata që ju ulën në ato karrige dhunohen, ndiqen nga shtepia e tyre, helmohen?!!!

Jam e sigurt që do ta merrni përgjigjen kur të dënjoni të vini në bazë! Nesër do të jem me miq e demokrat të qytetit tim përsëri sepse unë jam një prej tyre dhe zgjedh të luftoj me ta!