Basha, një lolo që s'duhet marrë me dramë, por me të qeshur

Lulzim Basha nuk bëri asgjë që nuk pritej. Ai i blindoi dyert e PD-së njësoj si Edi Rama, Kryeministrinë.

Ai u hodhi gaz lotsjellës “serb” protestuesve, njësoj si Ardi Veliu.

Ai në fund, u bë një lodër në duart e Policisë së regjimit, e cila si për ta përdhunuar përfundimisht dha edhe një deklaratë shtypi përpara selisë së çliruar.

Ai i bëri ata deputetë, që e mbështesin, të dukeshin njësoj si Jenishehri, Gjuzi apo “kërpërata” në Kuvendin e shkuar. 

Ai e shndërroi selinë kryesore të opozitës, në një paradhomë të zyrave të regjimit.

Ai e qesharakëzoi edhe synimin amerikan për të “luftuar korrupsionin”, duke vërtetuar se e gjithë strategjia me “non grata” nuk qe asgjë më tepër se një plan për ta ulur kreun e opozitës, bythëzbuluar mbi prehrin e Ramës.

Prandaj, që nga dita e sotme, kur u pa qartë se kishte një marrëveshje paraprake mes Policisë së regjimit dhe përfaqësuesve të “opozitës” bashiste, të cilët u koordinuan brenda dy- tre minutave, nuk do të mbeten në memorie imazhet e dhunës.

Edhe gazi lotsjellës, edhe kapuçonët e zinj të armatosur brenda selisë, edhe deputetët me hunj nëpër duar do të harrohen shumë shpejt, sepse ata janë vetëm një pikë e errët në tablonë shumëdimensionale të asaj që ka ndodhur.

Lajmi i madh, e vërteta e hidhur, është se që nga kjo e shtunë, ky vend drejtohet nga një autokrat që ka një zyrë në Kryeministri dhe një tjetër në SHQUP. Si rrjedhojë e kësaj ne kemi një opozitë fasadë të cilës i prin një kryetar lolo. 

Ndryshimi i tij i vetëm është se ai përfundoi procesin e konvertimit nga palaçoja 16-vjeçar i Saliut - në atë të Edit.

Kush nga deputetët që do të ketë këtej e tutje fytyrë të mbështesë Bashën, mund të dalë e të flasë në debatet publike, për uniformat blu që godasin në mënyrë shproporcionale qytetarët?!

Kush do të ketë guximin të kritikojë policinë e narko-shtetit?!

Kush do të ketë paturpësinë të evokojë atë që iu bë protestuesve të Unazës, bulevardit të ri, apo atyre që shprehën dufin përpara kryeministrisë?!

Deputetëve të Bashës dhe atij vetë, nga sot iu mbyll goja për shumë krime që kanë ndodhur në këto vite, se ata u bënë vetë pengje të këtij pushteti kriminal. 

Prandaj, në vend që të regjistrojmë në memorie dhunën, civilët me armë dhe dyert e blinduara, në vend pra që ta shohim Lulzim Bashën dhe shpurën e tij si barbarë, le t'i mëshirojmë dhe të qeshim me ta.

Prej këtij 8 janari, s’janë asgjë më shumë se klounët e pështirë të regjimit, të cilët do të kenë vetëm një sfidë, ta luajnë rolin pak më mirë se Myslymi apo Rudina.