Berisha: Vendosja e Komandës së Forcave Operacionale, vendim për t’u përshëndetur

Nga Sali Berisha

Një vendim për t’u përshëndetur!

Miq, Komanda e Forcave Operacionale të SHBA për Europën SOCEUR me bazë në Gjermani njoftoi se ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës së Forcave Operacionale Speciale.

Vendosja e një shtabi të Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA për Europën është një vendim me rëndësi thelbesore për paqen dhe sigurinë e Shqipërisë, rajonit dhe NATO.

Padyshim që anëtaresimi i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, kundër të cilit protestonte Edi Rama është dhe faktori përcaktues që ka bërë te mundur marrjen e këtij vendimi.

Prandaj së pari përshëndes këtë vendim shumë të rëndësishëm të Pentagonit që e bën Shqipërinë dhe rajonin dhe NATO-n më të sigurtë dhe dëshmon besimin e SHBA në vendin tonë mik, anëtar i NATO-s. Ky vendim është gjithashtu përgjigja më e merituar ndaj përpjekjeve te Kremlinit për të shtrirë influencën ruse në rajon direkt dhe nëpërmjet Beogradit.

Se dyti dënoj qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Rames, i cili pasi ka katandisur në gjendje mjerane Forcat e Armatosura të Shqipërisë me një buxhet që nuk arrin as gjysmën e atij që kërkohet nga NATO për vendet anëtare, keqpërdor këtë lajm të një rëndësie të veçantë për të mbuluar gjendjen tejet të vështirë financiare dhe jo vetëm në të cilën ai dhe qeveria e tij kanë lënë këto vite Forcat tona të Armatosura.