VIDEO/ Berisha: Basha është humbja, ai nuk është e ardhmja

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha nga Fieri, ku po festohet 31 vjetori i krijimit të degës së PD-së, është shprehur se Lulzim Basha është veç humbja dhe jo e ardhmja.

‘Pasi kaloi nga humbja në humbje në 8 vite rresht u thoshte shqiptarëve sot më ndiqni se jam e ardhmja!!! Në fakt ai është vetëm humbja, humbja, humbja’, tha gjatë fjalës së tij lideri historik i demokratëve, Sali Berisha.

Pjesë nga fjala e liderit historik të PD, Sali Berisha:

Dje më pyeste një mik si ka mundësi ky njeri?! Absolutisht që ishte një farë e keqe që ne nuk e kuptuam.

Në 31 vite asnjë njeri nuk ka shfaqur standardet e ulëta politike të këtij njeriu, asnjë njeri, askush. Ky dëshmoi se është zhveshur nga çdo parim dhe se është i gatshëm për karrigen e tij të bëjë gjithçka. Pasi kaloi nga humbja në humbje në 8 vite rresht u thoshte shqiptarëve sot më ndiqni se jam e ardhmja!!! Në fakt ai është vetëm humbja, humbja, humbja.

Tetë vite ju e mbajtët PD! Ju e sollët PD përsëri një forcë madhore politike, tetë vite lumenjtë e djersës së derdhët ju dhe trashëgimia e saj janë shkaqet themelore që u ngrit me shpejtësi të rrufeshme si feniksi dhe ja ku është sot opozitë e vërtetë, opozitë e vërtetë që po dridh nga themelet narkoshtetin e Edi Ramës, opozitë që në harkun tremujor i dha vendit në kulmin e vështirësive të vendit, ato mrekulli që shqiptarët dhe Shqipëria nuk i kishin parë kurrë më parë: Kuvendin e lirisë me firmat e anëtarëve, referendumin e lirisë me firmat e anëtarëve, u tregoi shqiptarëve dhe botës e liria nuk vdes kurrë në zemrat tona.

Jemi dhe do te qëndrojmë të pamposhtur në mbrojtje të vlerave te saj.