Skandali i bunkerizimit të PD-së/ Bumçi: Kjo nuk ka ndodhur në 30 vite

Sërish, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të PD kanë shkuar te selia blu, por e kanë gjetur të mbyllur dhe të izoluar.

Pasi kanë tentuar të hapin dyert, ata kanë mbajtur një deklaratë për mediat. Drejtuesit e degëve 1, 3 dhe 7 kishin planifikuar të mbanin një mbledhje në seli.

Aldo Bumçi tha se kjo nuk ka ndodhur në 30 vite.

"Kemi ardhur këtu, bashkë me Strazimirin, Kason, me drejtuesit e tre degëve të Tiranës, 1, 3 e 7, pasi këto janë zonat që ne kemi mbuluar gjatë fushatës elektorale dhe kishim caktuar një mbledhje pune. Vend tjetër për ta bërë, përveçse shtëpisë sonë, PD, nuk ka"

“Siç e shikoni është e mbyllur, kjo seli nuk e ka qënë e mbyllur as në vitet më të vështira, as kur ka pasur qeverisjen, as në ’97-ën. Për herë të parë në 30 vjet, partia e Lulzim Bashës ka mbyllur dyert, është kthyer në një bunker. Kujt të mire i shërben? Më gjeni një interes të demokratëve dhe të qytetarëve që opozita të kthehet në bunker, në burg? Nuk i shërben askujt tjetër veç Bashës.

Edi Rama është mbret aty sa herë ky është këtu. Ky është projekt kriminal për të zhdukur opozitën, por opozita është gjallë, është në këmbë dhe ditën e shtunë do ta çlirojë dhe këtë bunker. Opozita duhet të ketë dyert e hapura për të ndërtuar koalicionin më të madhe për t’i shkurtuar ditët Edi Ramës,” tha Bumçi.