Lulzim Basha si delja e zezë në mes të demokracive partiake perëndimore

Është përmendur shpesh këto kohët e fundit shoqërizimi midis lëvizjes brenda Partisë Demokratike dhe termit ose kategorizimit të saj si berishizëm. Në radhë të parë, duhet të dallojmë se edhe nëse është e vërtetë një gjë e tillë, kemi të bëjmë me një berishizëm të ri, krejt ndryshe, që ka reflektuar nga gabimet dhe mësimet e historisë 8-vjeçare të PD në opozitë dhe jo me kot kërkon ta rithemelojë atë nga e para. Pra edhe në formë, në terminologji këto dy kohë, le të themi berishiane, lëvizin në një ambient krejt tjetër. Kjo e dyta fare mirë mund të etiketohet si “berishizmi i rithemelimit”.

Megjithatë, unë nuk do të doja të ndalesha shumë te forma e jashtme e terminologjise, e as ta fokusoja mendimin aty, pikërisht sepse mendoj se e gjitha kjo që po ndodh duhet parë dhe kuptuar me mirë, duke analizuar përmbajtjen e vërtetë. Atëherë cili është thelbi i gjithë kësaj lëvizje?

Një parim i drejte dhe i dobishëm, që duhet të na shërbeje si busull për të na qartësuar situatën, është ai i ndarjes së betejës personale të zotit Berisha për të shpëtuar nga efektet e “non grata” dhe efekteve reale që i ka sjellë demokracisë jo vetëm partiake, por gjithë demokracisë shqiptare, lëvizja e rithemelimit të PD-së. Pavarësisht se kjo gjë është anatemuar  që në fillim, unë e kam fokusuar analizën te gjërat konkrete, jo abstrakte, për të kuptuar më lart se është momenti për të pyetur veten: ç’të mirë apo të keqe po i sjell vendit kjo lëvizje, vendimet që ajo mori, qasjet që ajo ka ndaj problemeve të vendit, fryma që ajo po i dikton ndriçimit të shoqërisë dhe emancipimit të saj. Këto janë kriteret që kanë qenë e do mbeten gjithmonë në një trajtim të ftohtë, jo ngjarjet e rastit që ofrohen përditë nëpër gazeta për elemente krejt dytësore e tretësorë të problemit.

Mund të hamendësojë me të drejtë çdokush se e gjitha kjo lindi nga një rast personal. Po pastaj? A nuk janë problemet personale të gjithsecilit që kthehen në ide opozitare dhe i shërbejnë  gjithë jetës shoqërore dhe politike? Shumë herë një shkas personal bëhet shkëndija e lindjes se diçkaje me të madhe, me të  përgjithshme, që në rastin e PD përfshiu shumicën e anëtarëve të saj, ashtu siç na e vërtetoi referendumi. Atëherë rasti i nisjes, qoftë personal apo jo, sfumohet, nuk ka më rëndësi, dhe ajo që merr formë dhe fuqi, përmbajtje dhe fokus është lëvizja e përgjithshme dhe rezultatet e saj.

Po njëlloj duhet trajtuar dhe akuza e berishizmit të vjetër që gjoja po ringjallet. Shumë thonë se PD e dikurshme ishte “pronë” e një njeriu dhe se ai është po i njëjti si tani. Po të shohësh statutin e rithemelimit që sapo u miratua, kupton qartë se sa e thjeshtë është hedhja poshtë e këtij trendi kah të cilit janë drejtuar shumë analistë dhe sa e padobishme është t’i mëshosh berishizmit të vjetër. Një anije e tillë arsyetimi mbush ujë nga të gjitha anët. Lindur nga beteja personale apo jo, për të mos e përmendur fare antiamerikane apo jo siç spekulohet, statuti i ri që është shpirti i çdo organizimi partiak, është vlera e re me e madhe, është produkti me emancipues dhe demokratizues që i është dhënë shoqërisë shqiptare në  këto vite tranzicioni. Është ajo për të cilën kanë vuajtur demokratët, ajo çfarë u kane kërkuar përherë shqiptaret e organizmave partiake. Si mund të qëndrojë më në krye të partisë një njeri që ka humbur dhe ka humbur ku është vërtetuar plotësisht pa dilema se nuk di të fitojë?! E kujt i duhet më një morr në krye të forcës politike që themeloi pluralizmin në Shqipëri, përveç atyre që u nevojitet ta përdorin pak kohë dhe ta hedhin tutje si lëvere, kur sigurisht kur nuk do t’u duhet më? Qëndron apo ikën Berisha, nuk ka rëndësinë më të vogël, ky është standardi që do mbetet dhe me të cilin do të ballafaqohet që sot e tutje çdo parti shqiptare, çdo qeveri e çdo aksion qeveritar i së ardhmes. Ky standard pastaj do të sjellë detyrimisht standardin e një qasje të re ndaj demokracisë.

Dhe standardi i ri i demokracisë partiake do reflektohet edhe tek demokracia vendore, për të krijuar më pas standardin e një fryme të re të shikimit te gjerave. Pse vallë embrionet e kësaj qasje e fryme transparente dhe larg demagogjisë dhe frymës unifikuese që ka mbizotëruar deri tani, nuk po i shohim dita ditës?

Një qasje e re ndaj aferës së inceneratorëve, krejtësisht ndryshe nga më parë, po kështu për skandalin e pagave e në fund edhe për “Ballkanin e hapur”. Shumë gjëra janë turbulluar nga qetësia e shtirur, gati e pështirë e qëndrimit ndaj ngjarjeve të jashtëzakonshme që po i serviren shoqërisë shqiptare, shumë ka ndryshuar nga paqja veç në dukje, por shumë poshtëruese e reagimit të mediave dhe analisteve ndaj këtyre problemeve të vërteta. Ndaj unë gjithçka e marr të ndarë e të palidhur qoftë me berishizmin e vjetër, qoftë me alibinë e hallit personal, sepse shoh standarde tashme të vendosura që nuk mund ti shkelë më askush. Pse vallë zoti Basha i gjendur përpara një fakti të tillë nuk u përgjigj me një platforme të tillë kaq të hapur e kaq demokratizuese si ajo e Komisionit të Rithemelimit? Pse vallë nuk propozoi një platforme alternative, që t’ia hiqte zotit Berisha alibinë e standardeve të një partie të re, dhe për ta lënë atë vetëm me alibinë e hallit personal siç pretendon ai dhe sekti i tij që ende i rrotullohet përreth?! Kjo do të ishte lëvizja më e zgjuar dhe me e drejtë po t’i dhimbsej e ta kishte për zemër PD dhe demokracinë e saj dhe të gjithë do ta mbështesnin. Po ai përsëri e la në baltë, e la larg nga hapja dhe reformimi, edhe atë cope të paktë PD që i ka mbetur. Pse nuk dha dorëheqjen mbas një serie humbjesh duke e komprometuar  kështu rëndë emrin e kësaj partie përballë demokracive partiake perëndimore? Pse e bëri veten si delja e zezë në mes të demokracive perëndimore? Po njëlloj, të thata, të zbehta, sa për të qenë janë dhe reagimet e tij ndaj mega-skandaleve me te cilat po përballemi? Është edhe ky një tregues i qartë se standardi i statutit të PD po shtrihet edhe në një standard qasje, aq sa mund të themi se kemi të bëjmë edhe me një mendësi e frymë të re hapje e komunikimi që ka vlera kulturore demokratike përtej PD-së. Është ky ai lloj i ri katalizatori i gjërave dhe qëndrimeve që unë shoh dhe vlerësoj në politikën e ditës, dhe që do të doja të forcohej dhe evoluonte, pa rënë në ekuivokun e padobishëm që gjithçka vjen prej berishizmit. Tanimë kemi një shembull, një standard demokracie, le të përpiqemi ta shtrijmë e ta përhapim në të gjithë sistemin-vend të Shqipërisë.