‘Darka hallall e ndaloi Riberin të transferohej në Madrid’

Ish-presidenti i Bajernit, Uli Hënes, ka zbuluar arsyen pse Frenk Riberi nuk u transferua te Real Madrid në 2010, pas akordit që francezi kishte arritur me spanjollët. Sipas Hënes protagonist kryesore ishte e shoqja e tij.

Në një intervistë për Bild në 2016, Riberi, u shpreh se në 2010, Real Madrid dhe Çelsi ofruan 80 milionë për të dhe ai ishte i gatshëm të nënshkruante me klubin spanjoll. Por në momentet e fundit, Riberi nënshkroi një kontratë rinovimi me Bajernin deri në 2015. Pas 12 vitesh, Uli Hënes tregoi gjithçka për sa i përket këtij vendimi nga ana e francezit.

Hënes gjithmonë ka falenderuar gruan e tij Suzi që gjithmonë i ka qëndruar pranë dhe e ka ndihmuar gjithmonë, ashtu si dhe në këtë rast. “Kur aventura e Riberis po vinte drejt fundit në 2010 pasi agjenti i tij kishte arritur marrëveshjen me Realin, ne ftuam për darkë atë dhe të shoqen Uahiba. Suzi (gruaja e Hënes) kishte gatuar ushqim hallall vetëm për të. Ne kaluam një mbrëmje të mrekullueshme dhe rreth mesnatës, Uahiba tha ‘Frenk, ne do të qëndrojmë në Mynih!’ ” u shpreh Hënes.