'Shef kabineti perfekt i Ramës'/ Ylli Manjani: Sokol Balla të lërë gazetarinë

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, pas publikimit të bisedës telefonike të Sokol Ballës i cili shprehej se Berisha duhet zhdukur nga politika dhe se po paguheshin qimet e kokës për këtë qëllim. 

Manjani thotë se Sokol Balla është shef kabineti perfekt i Edi Ramës. 

Ai i këshillon Ballës që pas kësaj të lërë gazetarinë, pasi nuk ka më besueshmëri.   

Postimi
Miku im Sokol Balla nuk më çudit, por më bën të ndjehem i keqardhur.
Për fat të keq gazetaria e ka humbur profesionistit Sokol Balla.
Nuk më çudit aspak gjuha e përdorur nga Kolo përgjatë atij episodi që rrëfen Muhamet Omari, por një gjë më bën përshtypje:
ç’nevojë kishte dhe, ende paska, pushteti të harxhojë qimet e kokës për t’u marrë me Berishën, i cili vetë e kishte hequr fishën?!
Sinqerisht, budallëk më të madh politik sesa ky, nuk ka bërë kurrë më parë Edi Rama!? 
E bënë Saliun, jo thjesht edhe njëherë kryetar të PD, por legjendë tani në pleqni!
Shumë e çuditshme!
Nejse, po Kol Ballës miqsisht i them ta lërë gazetarinë sepse nuk e ka më besueshmërinë e nevojshme.
Ai është në të vërtetë një shef kabineti perfekt i Edi Ramës.
Dhe kur të jetë larguar Edi Rama nga politika, Kolin prap mik do ta kem, po aq sa edhe sot. Por ky pilaf i shpifur nuk mban më ujë…