FOTO/ Pas bravave, Basha po ndryshon edhe dyert. Burime nga PD: Do vendosen të blinduara

Pas ndryshimit të bravave të dyerve, duket se deputeti Lulzim Basha ka ndërmarrë një tjetër masë për të siguruar godinën e Partisë Demokratike e për të lënë jashtë anëtarët e kësaj force.

Duke u fshehur pas veshjes së xhamave me adeziv, Basha ka urdhëruar izolimin e godinës me veshje të dyerve, në mënyrë që të mos duken lëvizjet që ndodhin brenda godinës.

Nën zë, tregohet se edhe brenda godinës po bëhen punime për forcimin e sigurisë, e mbulimi i fasadës ka si qëllim kryerjen e punimeve brenda deri tek ndryshimi i dyerve ekzistuese me dyer të blinduara.

Kjo lëvizje e Bashës vjen në një kohë kur Kuvendi Kombëtar dhe anëtarësia e ka shkarkuar nga detyra, por duket se Basha po ndërmerr çdo hap për të mbajtur me forcë godinën.

Lulzim Basha u shkarkua me 44 mijë vota nga anëtarësia demokrate në referendumin e 18 dhjetorit, por ai nuk e njeh vullnetin e shumicës dhe për pasojë mban të uzurpuar selinë e PD.

Komisioni i Rithemelimit i përbërë nga 29 anëtarë, të cilët po drejtojnë PD-në, i kanë lënë afat Bashës deri në 5 janar për të lënë zyrën në selinë e demokratëve.

Ndërsa në datën 8 janar është njoftuar nga ish-kryeministri Sali Berisha mbajtja e një proteste kombëtare.