Atentati me eksploziv në Cërrik, dy pistat ku po hetohet pas vdekjes së të riut

Detaje të reja janë zbardhur nga vdekja tragjike e 27 vjeçarit në Elbasan një ditë më parë, pasi i shpërtheu në dorë një sasi lënde plasëse.

Gazetari SYRI TV, Migen Sejdini bën të ditur se policia po heton në dy pista, atë të një atentati të dështuar, ose të riut i ka plasur në dorë eksplozivi që do e vendoste diku tjetër.

Një nga pistat e hetimit për vdekjen e 27-vjeçarit Erion Rexhepi, në Cërrik, ku dyshohet se i riu e ka gjetur lëndën plasëse në rrugë, sapo ka dalë nga shtëpia, ndërsa pista tjetër është ajo e përdorimit të tij si i paguar për të kryer një atentat.

Ndër të tjera mësohet se mina me telekomandë ka pasur të paketuar një sasi prej 250 gram lënde shpërthyese C 4, e cila dyshohet se do të përdorej për një atentat të dështuar.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së enjtes në aksin rrugor Elbasan-Belsh, në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i lagjes nr. 3’, Cërrik, ku shtetasit Erion Rexhepi., 27 vjeç, i ka shpërthyer një sasi lëndë plasëse në dorë dhe për pasojë ka humbur jetën.