E paditën ekstremistët maqedonas, Mehmeti: Ballkani i Hapur projekt pro serb, Rama ka braktisur shqiptarët

Analisti politik me banim në Shkup, Kim Mehmeti në një intervistë me Skype në Syri Tv, me moderatorin Bled Marku, foli për padinë që kanë ngritur ndaj tij ekstremistët maqedonas.

Mehmeti thekson se 'Ballkani i Hapur' është projekt pro serb, ndërsa deklaroi se kryeministri shqiptar Edi Rama ka braktisur shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

“Në Maqedoninë e Veriut, anti-shqiptaria shpërblehet. Partia 'Levica' në Maqedoni të Veriut ka plane anti-shqiptare. Këtu thuhet “vdekje shqiptarëve” edhe në stadiume, kjo ndodh se ne këtu jemi nën sundimin e BDI-së. Beogradi i përcakton politikën Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut vazhdon që të jetë në  mosmarrveshje ndëretnike. Këtu ka vetëm pushtet e nuk ka shtet, institucionet janë në shërbim të partive që janë në pushtet. Maqedonia Veriore po shkon drejt shpërbërjes.

Edi Rama na ka braktisur. Në Maqedoni të Veriut ka gjykatës pro serb e pro rusë, që kanë mbushur burgjet këtu me shqiptar. Edhe Ballkani i Hapur shkon nga kahu i Beogradit. Është shumë e madhe popullsia e maqedonasve që janë antishqiptarë të thekur.

Kështu janë ata që janë ekstremistë maqedonas, e më akuzojnë mua se paskam folur ashpër. Ballkanin e Hapur po e drejton një kryeministër i Shqipërisë që kriminalizoi vendin, një kryeministër i Serbisë, që është kapota e Millosheviçit, një kryeministër në Maqedoni të Veriut që është në krye të një shteti koti. Ballkani i Hapur ka qenë për kriminelët e jo për të ndershmit”, deklaroi Mehmeti.