Spaho - Ramës për skandalin e pagave: Shkarko Ministren e Financave, pastaj 'kërcëno'!

Ndërkohë që Kryeministri Edi Rama ëshët duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e fundit për shtyp këtë vit, deputeti Edmond Spaho është indinjuar nga këndvështrimi pozitiv me të cilin e ka parë Rama, skandalin e publikimit të pagave të qytetarëve shqiptarë.

“Në këndvështrimin më afat mesëm kjo ngjarje mund të quhet edhe “jo çdo e keqe vjen vetëm për keq”, ka thënë Rama duke paralajmëruar se tani që u mësuan sa ishin pagat, do të marrë masa kundër bizneseve që iu shmangen Tatimeve”.

Por Spaho e ka emërtuar këtë qëndrim vetëm “tallje. “Vazhdon tallet me njerëzit, - shkroi Spaho në Fb. - A thua që këto të dhëna iu morën kompanive private?! Ato u morën nga Tatim-Taksat, pra zyrtarët e Qeverisë e dinin nivelin e deklarimit dhe evazionin e madh fiskal.

"Kërcënimi" është sa për të kaluar radhën. Për këtë evazion është përgjegjese Qeveria me Ministren e Financave, e cila deri 4 muaj më parë ishte Drejtoreshë e Tatim-Taksave dhe përgjegjësja kryesore për këtë gjendje. Filloje duke shkarkuar atë të parën, pastaj lësho "kërcënime" boshe ndaj biznesit!”