E-Albania: Asnjë nga shërbimet nuk i jepet privatit! Projektligji i ri për një administrim më të mirë të mirëmbajtjes

E-Albania ka reaguar pas lajmeve në media për dhënien me koncesion

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, platforma e shërbimeve online E-Albania sqaron se projektligji i ri parashikon një administrim më të mirë të shërbimit të mirëmbajtjes së rrjetit, të shërbimit të internetit, licencave të Microsoft, licensimit me antivirus apo shërbimi helpdesk për punonjësit e administratës publike. 

Reagimi
Nisur nga disa raportime aspak profesionale në mediat online, sqarojmë opinionin publik se nuk do të ketë asnjë delegim tek privati të platformës e-Albania.
 
Në datën 22 Tetor, 2021, ka nisur konsultimi publik për një projektligj për qeverisjen digjitale nisur nga nevojat e vendit për shkak të rritjes së konsiderueshme të hapësirës digjitale.
 
Projektligji i ri parashikon, ndër të tjera, ngritjen e një institucioni publik sh.a nën varësinë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të rregulluar marrëdhënien e shërbimeve që jep AKSHI karshi institucioneve publike në vend.
 
Në asnjë rrethanë apo propozim, institucioni i ri nuk do t’i delegohet asnjë privati por përkundrazi, do të jetë nën varësinë e AKSHI-it, të qeverisë. Çdo punë e realizuar nga AKSHI, në veçanti e-Albania që është një pasuri kombëtare që ofron mbi 1,200 shërbime publike për qytetetarët, nuk do t’i jepet asnjëherë privatit për administrim.
 
Me projektligjin e ri synohet që të ketë një administrim më të mirë të shërbimit të mirëmbajtjes së rrjetit, të shërbimit të internetit, licencave të Microsoft, licensimit me antivirus apo shërbimi helpdesk për punonjësit e administratës publike. 
 
Ne apelojmë që mediat të jenë korrekte në raportimet e tyre, që pavarësisht reagimeve individuale të personave të ndryshëm, të verifikojnë pretendimet e dhëna të cilat në këtë rast bien menjëherë poshtë pasi projektligji për e-qeverisjen është lehtësisht i aksesueshëm online në konsultimin publik.
 
Gjithashtu, është mjaft e rëndësishme të promovojmë shërbimet online si një mundësi e madhe për ekonominë e vendit dhe jo të përhapim lajme të rreme.