Projektligji/ Qeveria kalon E-albania në 'duart' e privatit

Qeveria ka bere gati projektligjin për të kaluar në duart e privatit platformën online e-Albania ku janë të gjitha të dhënat personale të shqiptarëve.

Burime për News24 thonë se Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka përgatitur projektligjin ku parashikohet që shërbimet për qytetarët dhe administratën publike të përfitohen online dhe po aty të kryhen dhe pagesat.

Projektligji propozon krijimin e një kompanie të quajtur “dg tech”, e cila do të jetë nën varësinë e Agjencisë Kombëtare të së Informacionit. Kjo shoqëri aksionare do të ofrojë për autoritetet publike, autoritetet e pavarura dhe subjektet private të gjitha shërbimet sipas katalogut të miratuar më Vendim të Këshillit të Mbikëqyrjes.

Në draft përcaktohet se deri në 49 për qind e aksioneve do të kalojnë te privati dhe pjesa tjetër do t’i mbetet shtetit. Privati do te marre ne doren rrjetin dhe furnizimin me internet te serverave te e-Albanias.

Një tjetër pikë e projektligjit është dhe vendosja e pagesave për një sërë shërbimesh po ashtu dhe kompanitë që kërkojnë të ripërdorin të dhënat do të duhet të paguajnë faturën përkatëse që sipas projektligjit do të jetë e arsyeshme.

Projektligji parashikon sanksione administrative të njëjta me ato të parashikuara në Rregullohen e Përgjithshme të mbrojtjes së të dhënave personale dhe të zbatuara në pjesën më të madhe të shteteve të BE-së të cilat variojnë nga 1.000.000.000 lekë deri në 2 000 000 000 lekë, ose në rastin e një ndërmarrjeje, deri në 4% të xhiros totale vjetore globale për vitin financiar paraardhës, cilado që është më e lartë.