‘Alo, mami dhe babi po zihen’/ Tragjedia që tronditi opinionin publik

Një krim i rëndë në familje tronditi Gjermaninë një ditë pas Krishtlindjeve. Ngjarja e rëndë u regjistrua në një familje shqiptare, raporton gazeta BILD.

Flamur R., 44 vjeç, vrau me nga një plumb në kokë dy djemtë e tij, 11 dhe 13 vjeç. Ai qëlloi edhe mbi gruan e tij, Adivijen 38-vjeçare, duke e plagosur rëndë. Më pas qëlloi vetën, duke humbur jetën.

Flamuri ishte një usta që njihej për karakterin e tij gjaknxehtë. Megjithatë fqinjët thanë se fëmijët ishin kaq të lumtur së fundmi.

 “I pashë një ditë më parë. Fëmijët ishin gjithmonë të lumtur. Dhe tani humbin jetën për Krishtlindje,” tha një fqinj.

Nëna e fëmijëve është në spital në gjendje të rëndë.

Gazeta BILD shkruan së fundmi se familja shqiptare kishte pasur probleme edhe në të shkuarën.

Flamuri kishte kërcënuar të afërmit që e kishin raportuar në polici.

Sipas një burimi zyrtar, djemtë e tij kishin telefonuar policinë në mars të vitit 2020, pasi mes prindërve kishte pasur një sherr të dhunshëm.

“Alo, mami dhe babi po zihen,” thanë ata.

Megjithatë pasi u morën në pyetje, familja nuk shfaqi probleme. Edhe prindërit duket se nuk kishin ndërmend të ndaheshin dhe nuk treguan probleme psikologjike. Një burim tha se autoritetet nuk gjetën asnjë të dhënë për rrezik për mirëqenien e fëmijëve.