VIDEO/ Në Cakran, aty ku gjeli i detit ka atë shijen e rrallë të ullirit dhe të jonxhës së freskët

Ndërrimi i viteve po afron dhe si traditë është që familja mblidhet rreth tryezës së Vitit të Ri me gjelin e detit dhe, kur ai është i shijshëm, kënaqësia shkon dyfish, thotë gazetari Xhemil Beharaj i SYRI TV, që është nisur për një reportazh në këtë fshat ku ky shpend është sa ekonomi, edhe krenari.

Zona e Cakranit shquhet për rritjen e gjelave të detit dhe kjo është kthyer në traditë e cila çdo vit e më tepër po shton fshatrat dhe  familjet që merren me mbarështimin e  shpendit të madh. Një e tillë është edhe familja e Barjam Kodhelajt në hyrje të fshatit Varibop, njësia administrative Cakran e Fieirit. Barjami pohon se ka shumë vjet që merret me mbarështimin e gjelave dhe pulave të detit, duke i shtruar pulat e detit me vezë prej nga presi zogjtë për t’i rritur. Dhe kësaj ia ka ndier lezetin. 

Ai tregon se nga viti në vit e ka shtuar sasinë e rritjes së tyre. Këtë vit për shembull e ka çuar në 120 krerë nga këta, 90 i ka të shitur të porositur që tani, ndërsa pjesën tjetër e ka ruajtur për 6 fëmijët me familjet e tyre që i ka në emigracion në Itali e Greqi. Ai pohon faktin se tregun më të shumtë e ka në zonën e Vlorës dhe një pjesë në Fier.

Barjami tregon se gjelat kanë edhe shpenzime. Çdo gjel apo pulë deti shkon në 3000 apo 3500 lekë sipas kostos së rritjes së tij në vit; çmimet variojnë nga viti në vit sipas prodhimtarisë në treg, me ulje ose rritje, por normalja do të ishte 600 apo 700 lekë kilogrami peshë e gjallë dhe jo 1000 -1200 lekë sa ka shkuar këtë vit, se abuzohet, thotë ai.

Nga ana tjetër bashkëshortja e Barjamit,  Ferideja është ajo që merret me rritjen e tyre, por sidomos me përgatitjen e ushqimit për ta. Ajo tregon se përveçse i ushqejnë me ullinj, misër, jonxhë ata lihen të kullosin të lirë në tokat me barin e njomë.

Një grua në fshat ka shumë punë, shumë lodhje e mundim e t’ia dalësh që të rritësh një sasi prej 120 krerësh gjelash deti kërkon shumë punë, pa harruar se një grua nikoqire ka edhe punët e shtëpisë dhe gatimin për të mbajtur familjen.

Familja e Barjamit është njëra prej atyre dhjetëra familjeve që merren me mbarështimin e gjelave të detit, por si ai ka shumë të tjerë  në fshatin Varibop apo në fshatin Vjosë.

Pak kilometra më tej Varibopit është një fermer që ka mbarështuar 700 krerë pula e gjela deti dhe vetëm për një ditë , atë të ndërrimit të viteve. E tillë është edhe ajo e Astrit Lamajt, që përveçse me tregti me një dyqan të vogël mbarështon pula e gjela deti. Ai ka afro 5 vjet që merret me këtë tregti por këtë vit ra pre edhe e hajdutëve të cilët dy net më parë i vodhën plot 43 krerë gjela e pula deti.

Astritin nuk e gjetëm as në dyqan e as tek ferma mes gjelave të detit pasi ai kishte shkuar për të shitur disa shpendë në tregun e Mifolit në Vlorë.

Bashkëshorten e tij e gjetëm në dyqan dhe ajo na tregoi më tej për rritjen e  vjedhjen e tyre.

E shoqja tha se Astriti nuk bëri denoncim sepse në shumë raste kur kanë ndodhur vjedhje në këtë fshat apo fshatrat ngjitur policia ka shkuar, por hajdutët ende si ka identifikuar dhe t’i kapë e t’i dërgojë para ligjit.

Shkuam në fermë dhe kushëriri i tij që interesohej për  rritjen e gjelave e pulave të detit tregoi  për rritjen e tyre, si e nisi Astriti por edhe  ditën kur i vodhën 43 krerë gjela e pula deti.

Në 9 muaj shërbim nga zogj deri sa rriten e konsumohen në ditët e ndërrimit të viteve, synohet jo thjesht të rritet gjeli apo pula e detit që gatuhet sipas traditës, por ai gjeli apo pula e detit “bio”, ata të famshmit që i japin emër Cakranit, pasi mishi i tyre ka shije të veçantë. Pra, 9 muaj lodhje e mundim për vetëm një ditë me shije të paharrueshme.