2.5 ton kanabis/ Si u arrestua dhe u dënua nënkomisari Festim Lelaj

Një ish-oficer Policie në Fier është dënuar me 17 vite burg nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Nënkomisari i Policisë, Festim Lelaj, u arrestua më 4 dhjetor të vitit 2017 me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi rezultonte i përfshirë në trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për të njëjtën çështje, janë dënuar më parë edhe shtetasit Emiljano Çili me 18 vite burg, duke u dënuar përfundimisht me 12 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Me këtë masë dënimi është burgosur edhe Artur Riza.

Të dënuarit akuzohen se duke bashkëpunuar midis tyre, kanë trafikuar një sasi prej rreth 2.5 tonë kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, raporton Panorama.

Nënkomisari u arrestua së bashku me 12 persona të tjerë, të cilët akuzohen për trafikim ndërkombëtar droge. Për këtë grup, hetimet kishin filluar që në muajin janar 2017, ndërsa pjesë e strukturës kriminale ka qenë edhe Julian Balliu.

Përgjimet telefonike treguan se Lelaj ishte mjaft aktiv në trafikun e drogës dhe se ka trafikuar 250 kg hashash drejt vendeve të BE-së. Droga kultivohej në disa zona të Vlorës dhe më pas mblidhej në Fier, ku edhe ngarkohej në kamionë që transportonin paleta druri drejt Gjermanisë.

Sipas përgjimeve, rezulton se Lelaj ka trafikuar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal edhe 250 kg drogë, kryesisht nga Vlora dhe Durrësi. Lelaj ishte në rolin e organizatorit të grupit dhe se ka bashkëpunuar edhe më një ish-polic tjetër i quajtur Renato Avduli.

Sipas dosjes hetimore, Festim Lelaj kishte bashkëpunëtorët e tij edhe në Portin e Durrësit, dy ish-policë kufitarë, tashmë të arrestuar, edhe një doganier. Rol të rëndësishëm në trafikun e drogës kishte edhe drejtuesi i komisionit, Dhimo Karaj, i cili ndërronte targat e rimorkios së pakontrolluar duke i vendosur ato të mjetit të kaluar më herët në skaner.

E gjithë skena ishte monitoruar nga kamerat e sigurisë duke u përdorur nga prokurorët si prova materiale. Ngarkesa me drogë do të dërgohej drejt Gjermanisë, ndërsa kamioni me lëndë narkotike ishte vulosur në Portin e Durrësit si mall tranzit, për t’u mos u kontrolluar më tutje në portin italian. Sasia e drogës së kapur nga autoritetet italiane në brigjet e Ankonës, arrin në 2.5 tonë dhe ishte fshehur në kamionët me dru.